Mançester Junajtid nuk e fiton “Community Shield” që prej vitit 2016 dhe nuk ndodhte prej viteve 1960-70 që ata të prisnin kaq gjatë për ta fituar Superkupën. Por Erik ten Hag u bën thirrje lojtarëve të tij që të frymëzohen nga disfata në Superkupë kundër Sitit dhe ta përdorin zhgënjimin e tyre si motivim për nisjen e sezonit të ri.

“Jemi të zhgënjyer”, tha trajneri holandez. “Duhet të ndiejmë dhimbjen dhe të gjithë e ndjejnë dhimbjen, ky është një sinjal i mirë, por gjithashtu shoh disa gjëra pozitive. Ne luajtëm mirë, mund ta fitonim këtë ndeshje, ishim dy herë në avantazh, në lojë dhe në penallti, por humbëm dhe jemi të zhgënjyer. Por ne marrim pikat pozitive”.

Markus Rashford, i cili vuajti sezonin e kaluar dhe përfundoi me vetëm tetë gola, pasi kishte shënuar 30 gola në sezonin e parë të Ten Hagut në “Old Trafford”, humbi dy mundësi të arta në 90 minutat në “Wembley”, por menaxheri i tij nuk shqetësohet për besimin e sulmuesit të tij: “Jo. Jo. Mendoj se ka qenë disa herë në pozicione shumë të mira. Jam shumë i kënaqur që ai po futet në ato pozicione, sepse e di me Rasmusin (Hojlundin) ai do të vazhdojë të bëjë ato lëvizje dhe skuadra do t’i bëjë ato lëvizje, kështu që ai do të shënojë gola. Sapo të shënojë një gol, atëherë do të vijnë edhe të tjerët”.

Ten Hag tha gjithashtu se ai dëshiron që Kasemiro të qëndrojë në skuadër pavarësisht interesit nga Arabia Saudite: “Ne jemi shumë të kënaqur me të. Unë nuk kam asnjë sinjal që ai nuk dëshiron që të qëndrojë dhe ne jemi shumë të gëzuar me këtë fakt. Ai është një lojtar i shkëlqyer dhe shumë i rëndësishëm për skuadrën tonë”.