Nga zemra e Malësisë së Madhe drejt majës së futbollit shqiptar! Sokol dhe Simon Uldedaj, binjakët e lindur në vitin 2009, po shkëlqejnë në akademinë e Vllaznisë së Shkodrës dhe tashmë kanë marrë edhe ftesën prestigjioze për kombëtaren shqiptare U17.
Të dy janë futbollistë anësorë, por me “specialitete” të ndryshme: Sokol luan në të djathtë, Simon në të majtë. Shpejtësia shpërthyese, driblimet që “çajnë” mbrojtjen dhe pasimet precize i kanë kthyer ata në një armë të fortë për çdo skuadër ku aktivizohen.
Performancat e tyre mbresëlënëse me Vllazninë nuk kanë kaluar pa u vënë re nga stafi teknik i kuqezinjve, i cili i ka grumbulluar në listën e fundit të Shqipërisë U17. Një hap madhor për dy talente që vetëm sa kanë nisur rrugëtimin e tyre në futbollin e madh.
Nga Malësia e Madhe kanë ardhur edhe emra të mëdhenj të kombëtares shqiptare, si Armando Broja, Mario Mitaj, Bekim Balaj, Elseid Hysaj dhe Marash Kumbulla, duke treguar se ky rajon është një fabrikë e vërtetë talentesh për futbollin shqiptar. Sokol dhe Simon Uldedaj janë pjesë e kësaj trashëgimie të fortë sportive.
Dy vëllezërit binjak po tregojnë se me talent dhe punë të palodhur, Malësia e Madhe vazhdon të prodhojë lojtarë që do të bëjnë krenar Shqipërinë edhe në arenën ndërkombëtare.(dueli sportiv)