Një ngjarje sa e pazakontë aq edhe komike ka ndodhur në një ndeshje amatore futbolli në Brazil, ku policia arrestoi gjyqtarin e ndeshjes në mes të fushës, duke e larguar me pranga në duar, ndërsa lojtarët dhe tifozët mbetën me gojë hapur.

Ederson Carlos da Silva, 38 vjeç, sapo i kishte dhënë një karton të verdhë një lojtari, kur papritur, nga anësoret, policë me jelekë antiplumb hynë në fushë dhe i dhanë atij një “karton tjetër”, këtë herë më serioz: urdhër arresti!

Sipas policisë civile të São Paulos, da Silva është i dyshuar si pjesë e një rrjeti trafiku droge, dhe ishte në hetim që prej nëntorit 2024, për një rast, kur u kap një kamion me 450 kg kokainë.

“Është një person me jetë shumë aktive në rrjetet sociale, e donte vëmendjen. Praktikisht na e dha vetë vendndodhjen”, tha shefi i policisë Glaucus Silva për median braziliane G1.

Lojtarët, që nuk e dinin nëse të vazhdonin lojën apo të thërrisnin VAR-in, mbetën të hutuar. “Na kanë ndodhur shumë gjëra në kampionat, por kjo ishte hera e parë që gjyqtari mori kartonin e kuq nga policia,” tha me humor një prej lojtarëve vendas.