Nga Gjergj KOLA
Lojtari i kombëtares shqiptare të futbollit Mario Mitaj është kampion i Arabisë Saudite me skuadrën e tij Al Ittihad. Një titull kampion që fitohet dy javë përpara kohe dhe padyshim që ky është një sukses për të sepse ka fituar garën me ekipe të tilla si Al Hilal dhe Al Nassr.
Al Ittihad ka luajtur sonte në transfertë ndaj ekipit Al Raed dhe në fakt kjo përballje ka nisur jo mirë për skuadrën e Mitajt sepse që në minutën e 9-të është gjendur në disvantazh. Megjithatë ajo ka reaguar duke shënuar tre gola njëri pas tjetrit dhe duke fituar me rezultatin 3-1.
Mitaj ka luajtur 90 minuta në këtë sfidë dhe është vlerësuar me notën 7.00 duke dhënë kontributin e tij në fitoren e skuadrës ë drejtuar nga Laurent Blanc. Me këtë fitore ajo është ngjitur në kuotën e 77 pikëve pas 32 ndeshjesh të luajtura dhe duke qenë e shkëputur plot 9 pikë nga Al Hilal i vendit të dytë.
Mbrojtësi i majtë me origjinë nga Vermoshi i Malësisë së Madhe në këtë mënyrë kurorëzohet kampion i Arabisë Saudite në të parin sezon si pjesë e Al Ittihad që e bleu kartonin e tij përfundimisht në janar të këtij viti nga Lokomotiva e Moskës.
Në këtë kampionat, Mitaj ka luajtur 16 ndeshje, nga të cilat 15 i ka nisur si titullar, por duhet thënë se ai ka qëndruar për një periudhë më tepër se dy mujore jashtë fushave të blerta si rrjedhojë e dëmtimit të pësuar, çka e detyroi atë t’i nënshtrohet dhe një ndërhyrje kirurgjikale. Megjithatë ai ia doli të rikthehet të luajë në fushë dhe tashmë është kampion me skuadrën e tij.