Nga Maringlen ZHIVANI
10 autobusë do të vendosen në dispozicion të tifozëve kuqeblu për të ndjekur takimin Vllaznia-Dinamo. Për këtë takim shumë të rëndësishëm, normalisht që kërkohet edhe ndihmesa e tifozerisë shkodrane dhe si rrjedhojë, gazeta “Shkodra Sport” mëson se presidenca ka vendosur 10-autobusë në dispozicion.
Megjithatë, ky numër nuk do të jetë i prerë, pasi autobusët mund të shtohen në varësi të fluksit të tifozëve. Për këtë takim, autobusët do të jenë falas për tifozët shkodranë, të cilët do të udhëtojnë drejt Tiranës të dielën.
Tifozëria shkodrane, edhe pse ka mbetur e zhgënjyer disi nga paraqitja e ekipit të Vllaznisë në takimet e fundit, përsëri duket se do ta mbështetin fuqishëm ekipin e tyre në një prej ndeshjeve më vendimtare të sezonit, që përcakton skuadrën finaliste që më pas do të luftojë në finale për titullin kampion.
Presidenca kërkon të ketë maksimumin e tifozëve në “Arenën Kombëtare”, në mënyrë që futbollistët e Vllaznisë të mos ndihen të pambështetur në një prej sfidave më të rëndësishme të sezonit.(www.shkodrasport.com)