Elbasani dhe Partizani kanë ndarë pikët në ndeshjen që mbylli fazën e parë të Superiores falë një barazimi 1-1 në “Elbasan Arena”. Një barazim që do të shoqërohet padyshim me polemika, pasi u mbyll mes protestës së tifozëve vendas për vendimet e gjyqtarit Lata.
Në një atmosferë shumë të nxehtë për shkak të një numri të konsiderueshëm tifozësh në tribuna, të dy skuadrat e nisën në sulm ndeshjen dhe gjetën secila golin në pjesën e parë. Të kuqtë panë t’u anulohej avantazhi në fund të këtij fraksioni loje, ndërsa pjesa e dytë kishte më shumë gabime nga të dy ekipet.
Ndeshja u ndez në fund, kur vendasve iu anulua goli i avantazhit dhe më pas patën pretendime për një penallti të mundshme.
Kjo bëri që fundi i ndeshjes të ishte me tension në tribuna dhe në fushë, por me vërshëllimën përfundimtare të gjyqtarit Lata që dekretoi një barazim 1-1 që nuk ndryshoi situatën e dy ekipeve në klasifikim.
ELBASANI-PARTIZANI 1-1
35′ Ze Gomesh / 23′ Zeka