Elvin Beqiri, ish-kapiteni i Vllaznisë, ka folur së fundmi ekskluzivisht për “Panorama Sport”, duke analizuar kuqeblutë në prag të sezonit të ri. Në fjalët e tij, ish-mbrojtësi ndalet te përgatitjet verore ku thekson se, pavarësisht nga larg, arrin të dallojë një optimizëm në radhët e shkodranëve.
Elvin Beqiri kur luante me Vllazninë dhe mbante shiritin e kapitenit
Po ashtu, ish-futbollisti edhe i Kombëtares shqiptare tregon edhe repartet, ku sipas tij, duhet të synohen përforcime në merkato. Njëherësh, ka besim se dyshja Martini-Sinani do korrë suksese dhe se në të ardhmen, pavarësisht largësisë, edhe ai mund të jetë pjesë e Vllaznisë.
Nga larg, por gjithmonë pranë Vllaznisë me zemër, si i ka parë Beqiri në periudhën e fundit shkodranët?
Me ardhjen e trajnerit të ri, klubi është futur menjëherë në merkato. Kjo për të afruar futbollistë që i përshtaten stilit të Martinit. Me ata futbollistë besoj se trajneri kërkon të përballojë jo vetëm ndeshjet europiane, por edhe ato të kampionatit. Prandaj mendoj se po formohet skuadra që tani për Superioren e edicionit 2025- 26. Duket një frymë e re dhe pozitive, që jep shpresë për një Vllazni ndryshe dhe se gjërat do të shkojnë mirë në sezonin e ri futbollistik.
Çfarë mund të na paraqesë kjo skuadër në sezonin e ri?
Mendoj që këtë vit ekipi do të jetë më i konsoliduar dhe kërkues në pretendimet e tij. Trajneri Martini, si një personazh karizmatik, kam bindjen se do të ndërtojë një ekip cinik dhe të etur për fitore e suksese. Kjo për të synuar fitoret në çdo ndeshje që skuadra do të zbresë në fushë. Shpresoj që këtë qasje ta shoh që nga ndeshjet e Conference League, të cilat vijnë shumë shpejt.
Keni besim se Martini mund ta rikthejë në identitet Vllazninë?
Vllaznia, që me ardhjen e presidentit Xhaferri, është kthyer në identitet, duke u rikthyer në pretendimet për trofe dhe vendet e para të renditjes. Ashtu siç ka bërë gjatë gjithë historisë së klubit. Ardhja e trajnerit Martini shoh që ka rikthyer entuziazmin mes tifozëve, që kanë besim që titulli mund të kthehet që mungon prej vitit 2001. Gjithashtu unë kam besimin se Martini së bashku me stafin e tij do të bëjnë një punë të mirë, duke i dhënë një impuls dhe ritëm tjetër lojës. Po ashtu, dëshirën për fitore dhe luftën sportive, të përzier me cilësitë individuale të futbollistëve që ka apo do të ketë në dispozicion.
Ku mendoni se duhet përforcuar ekipi, në çfarë repartesh?
Mbrojtja dhe mesfusha, për mendimin tim, kanë qenë një problem jo i vogël gjatë sezonit të shkuar. Prandaj mendoj se aty duhen ndërhyrjet më të mëdha në merkato, siç ndodhi me repartin e mbrojtjes, i cili tashmë duket thuajse i kompletuar. Pavarësisht se çdo trajner dhe skuadër do të mirëpriste një futbollist që do të arrinte të bënte diferencën.
Duket një Vllazni me shumë shkodranë, pozitiv ky fakt apo jo?
Sigurisht që është diçka pozitive për klubin, pasi tregon edhe punën e mirë që bëhet tek akademia. Ku edhe afrimi i futbollistëve të tillë ka më pak kosto financiare për klubin. Vllaznia duhet ta ketë gjithmonë bazën e ekipit të saj nga futbollistët vendës dhe prodhimi i saj, sepse i ka mundësitë për ta bërë diçka të tillë, pasi lojtarët e talentuar nuk mungojnë aspak në Shkodër.
Është një “detyrim” kalimi i turit të parë në Conference League përballë kundërshtarit letonez?
Në pamje të parë, duket një kundërshtar i lehtë në letër, por në sport nuk ekziston diçka e tillë. Ekipi duhet të përgatitet sa më mirë dhe ta vlerësojë në maksimum kundërshtarin dhe ta kalojë me sukses këtë tur. Besoj se mundësitë për t’u kualifikuar në turin e dytë janë goxha reale për ekipin e Vllaznisë.
E penalizon skuadrën fakti që do të luajë në Elbasan dhe jo Shkodër?
E mira do të ishte të luhej në Shkodër, para tifozëve të saj, por gjithsesi nuk shoh ndonjë disavantazh të madh për Vllazninë që do të luajë në Elbasan. Jam i sigurt që do të ketë mbështetjen e tifozëve edhe atje e për këtë duhet të kujdesen si klubi, edhe bashkia për të garantuar transportin e tifozëve nga Shkodra, në mënyrë që të jenë sa më të shumtë në stadium në datën 10 korrik.
Së fundmi, dy miq tuaj si Martini dhe Sinani janë në krye të skuadrës. Do e mirëpriste Beqiri një thirrje nga Vllaznia, nëse ajo vjen në të ardhmen?
Është kënaqësi të shohësh si Martinin, ashtu edhe Sinanin në poste drejtuese, ku më parë kanë dhënë një kontribut të çmuar për klubin si ish-futbollistë. Shpresoj të kenë të njëjtin sukses siç kanë pasur edhe kur luanin së bashku. Pavarësisht se fizikisht jam larg ekipit, me zemër dhe shpirt jam aty gjithmonë sepse nuk mund të qëndrojmë pa marrë informacione rreth ecurisë së skuadrës. Ndoshta në të ardhmen mund të realizohet diçka e tillë, por për momentin e shoh pak të vështirë, për shkak të angazhimeve që kam aktualisht këtu në Kanada.