I intervistuar nga “Gazzetta dello Sport”, ish-mesfushori i Milanit, Clarence Seedorf, ka folur për Ligën e re të Kampionëve, që do të nisë sot: “Jam kurioz. Më pëlqeu formula e mëparshme, pritja për ndeshjet e mëdha ishte pjesë e spektaklit. Le t’i japim kohë formatit të ri për të treguar se çfarë është dhe sa tërheqës do të rezultojë për tifozët”.


Kompeticioni nis me Real Madridin, fituesin në fuqi, por që nuk ka shkëlqyer në fillim të këtij sezoni…

Jam i bindur se si gjithmonë, Ancelotti do ta gjejë ekuilibrin te Real Madridi, qoftë edhe me Mbappe. Skuadra madrilene mbetet realisht për t’u mposhtur, sepse është ‘mbretëresha’ e këtij kompeticioni.


Po favoritët e tjerë…

Duke pasur të njëjtin sistem loje, kjo do t’i lejojë Guardiolës të vazhdojë të punojë në detaje me Manchester City, një aspekt në të cilin ai është shumë i mirë. Skuadra e PSG-së mbetet ndër më konkurrentet në nivel europian. Largimi i Mbappe mund ta bëjë grupin edhe më përgjegjës.


Çfarë rruge imagjinoni për skuadrat italiane?

Interi, Milani dhe Juventusi kanë detyrën që të sigurojnë kualifikimin direkt në fazën e dytë. Atalanta do të ketë ndeshje të vështira, por mund të synojë lart. Bologna do të jetë në gjendje të përfitojë nga kjo përvojë dhe ta shijojë atë. Sa iu përket tre të mëdhenjve historikë, Interi është një ekip i pjekur dhe solid, Milani ka ADN europiane, ndërsa Juventusi i është afruar shumë herë fitimit të Champions League”.