Barcelona ka bërë autokritikë pas humbjes të shtunën e parë të tetorit, ku u mund në Pamplona 4-2. Në harkun e pak ditëve, katalanasit kanë marrë dy fitore, një në Champions kundër Jang Bojs (5-0) dhe dje kur Alavesh në La Liga (3-0). Reagimi i duhur i ekipit, që e ka kënaqur trajnerin Hansi Flik.
“Gjatë javës kemi folur dhe i kam kujtuar vazhdimisht ekipit humbjen kundër Osasunës. Ia kam bërë të qartë se në rast se shmangnim gabimet që bëmë atje do të ktheheshim te rezultatet pozitive. Dhe më vjen mirë që skuadra ka reaguar si duhet dhe kemi marrë një fitore të rëndësishme, pasi mund të shkojmë më të qetë në pushimin e kampionatit”, deklaroi Flik.
Trajneri i Barcelonës theksoi se takimi në Vitoria u fitua në pjesën e parë, teksa ka përgëzuar Robert Levandovskin për paraqitjen e shkëlqyer.
“Baza e fitores ka qenë pjesa e parë. Kemi luajtur shumë mirë, kemi shfrytëzuar maksimalisht mundësitë e krijuara dhe kemi përfituar nga Robert Levandovski. Për mua ai është sulmuesi më i mirë në botë në zonë. E njoh që nga koha në Mynih dhe nuk ka ndryshuar, vazhdon të jetë i shkëlqyer në zonë”, shtoi gjermani.
Flik ka folur dhe për lënien jashtë të Kunde për t’i dhënë disa minuta pushim më shumë, ndërsa për dëmtimin e Ferran Torres ka nënvizuar se do të priten analizat e të hënës.