Nga Endri ÇINARI

Pavarësisht futbollistëve të ndryshëm që kanë ardhur apo ikur nga Vllaznia gjatë kësaj merkatoje verore, një “arritje” për kuqeblutë ka qenë rinovimi me Esat Malen. Prizrenasit i skadoi kontrata në fund të muajit maj dhe pavarësisht se kishte disa oferta në dorë, madje ekonomikisht edhe më të mira se ajo e Vllaznisë, vendosi të qëndronte në Shkodër.

Duke vijuar karrierën e tij kështu për sezonin katërt rradhazi në rradhët e 9 herë kampionëve të vendit tonë. E patjetër Mala ishte një nga futbollistët kryesor të sezonit të shkuar me 7 gola dhe 12 asiste në llogarinë e tij personale. Formë të cilën e vijoi edhe me paraqitjet në Europë që zhvilloi në duelet kundër Daugvapils apo Vikingur.

Me shtatshkurtërin që në 4 ndeshje arriti të gjente 2 herë golin e po ashtu asistonte një herë për shokët e skuadrës. Duke qenë kështu absolutisht një nga futbollistët më të spikatur të verës europiane të shkodranëve. Një formë të tillë të kaluar në këtë fillim sezoni, tek Vllaznia shpresojnë që ish-futbollisiti i Partizanit ta shfaqë edhe në kampionat.

Polivalenca e 26-vjeçarit vlerësohet shumë nga trajneri Martini, i cili mund ta përdorë si “xhol” Malen duke e aktivizuar në pozicione të ndryshme. Ku aktualisht Mala po aktivizohet në rolin e mesfushorit pas sulmuesve, por në javët dhe ndeshjet e kampionatit, atë mund ta shikojmë edhe në krahët e sulmit ose mesfushës.(www.shkodrasport.com)