NGA UVIL ZAJMI

Historia e dinastive, familjeve që i ka bashkuar një vërshëllimë, një profesion, është vërtet e rrallë. Një trashëgimi dhe traditë e krijuar sa farefisnore, aq edhe sportive. Bashkë në shtëpi e në fushë, në një kohë, në një ndeshje, me një xhaketë, atë me ngjyrë të zezë. Vëllezër apo babë e bir, një vazhdimësi në dhjetëvjeçarë që të befason.

Të vlerësuar deri edhe në FIFA, me të njëjtin mbiemër. Nga familja unike Pregja, ajo Dervishi, Kotherja, Kuka, Jareci, Pjetrushi, janë disa. Raportet midis tyre, pesha nga një emër te tjetri, vështirësia për të trashëguar e mbajtur famën e krijuar.

Pjesa më e madhe pa asnjë lidhje me futbollin, vetëm pasioni i lindur e kthyer në një edukatë, bashkë me shqetësimet e një bilbili familjar. Për të vijuar më pas edhe si vëzhgues të FSHF-së. Të paktë janë ata ish-futbollistë që vërshëllyen më pas edhe si arbitra.

Tashme do te ndalemi edhe nje tjeter “dinasti”, tek ajo e Lezhes e cila lidhet me nje mbiemer: Pjetrushi.

Vëllezër, nipër, djem deri edhe mbesa nga Lezha, që i bashkon një vërshëllimë e vetme. Nga Prek Pjetrushi, i pari që hapi rrugën, vëllai i tij Engjëll, Aleksandër dhe Brigen, dy djemtë e Prekës, Rigersi djali i Engjëllit, nipi Fiorelo deri te mbesa Eglantina. Viti 1978, kur Pjetrushi I u shfaq në fushë si arbitër kryesor. Djalë i ri, me perspektivë, i tillë deri kur e mbylli në 2002.. Vëllai Engjëll, pak më i vogël dhe me të tjera cilësi: asistent nga më të mirët në periudhën 1990-2012, një karrierë edhe si asistent i FIFA-s për dhjetë vite radhazi.

Në mjaft takime të atyre viteve, të dy vëllezërit i gjejmë bashkë me bilbil e flamur. I treti, Aleksandri, i aktivizuar në kategoritë inferiore, për një kohë të shkurtër. Rigersi, djali i Engjëllit, i ri, me perspektivë, vijues absolut i dy të parëve. Në kulmin e moshës, aktivitetit si arbitër kryesor dhe me të ardhme, duke u kthyer nga një ndeshje në Sarandë, viti 2012, në moshën 31-vjeçare humb jetën në një aksident automobilistik. Brigeni një tjetër Pjetrush, që e pati të shkurtër aktivizimin si arbitër, më shumë në rolin e asistentit.

Në vijim të dinastisë, sot janë: nipi Fiorelo, ndër të rinjtë shumë premtues dhe i aktivizuar në këto sezone. Mbesa Eglantina, arbitre edhe kjo ndër kryesoret e këtij sektori. Nga 1978, kur Pjetrushi I i ra bilbilit për herë të parë, kanë kaluar më shumë se 40 vite, një plejadë pa fund me Pjetrushët, protagonistë të një xhakete, vërshëllime, flamuri. Në sezonin e vitit 2002, në takimin Veleçiku-Vllaznia për Kupë, në fushë janë Prek, Engjëll dhe Aleksandër Pjetrushi. Ndërsa Preka dhe Engjëlli kanë drejtuar dhe shumë sfida të tjera bashkë. Sot të dy janë vëzhgues të FSHF-së.