Karriera e tij ka qenë e veçantë. E mbushur me ndeshje e suksese jo të pakta. Më së shumti, ka marrë duartrokitjet e publikut shkodran, aq sa edhe sot ai konsiderohet futbollisti më popullor në gjithë historinë e futbollit shkodran. Por karriera e tij do kishte qenë shumë më e ndritur nëse “kleçkat” e biografisë së bashkëshortes së tij, do ta ndiqnin gjatë gjithë jetës së tij.

Ai ka luajtur me Vllazninë nga viti 1959 deri në vitin 1972 por gjatë këtyre 13 viteve ai asnjëherë nuk pati shansin të luajë një ndeshje jashtë vendit, çka ishte edhe ëndërra e çdo futbollisti në atë kohë. Çapaliku ka humbur për këtë shkak edhe kombëtaren sepse për të luajtur me të, kishte një kusht shumë të rëndë: Të ndante gruan!!!

Këtë kurrsesi nuk mund ta bënte sepse Terezina ishte gruaja e ëndërrave të tij dhe para saj, futbolli pavarësisht se një pasion shumë I madh për të, nuk ishte asgjë.

Në rrëfimin e mëposhtëm, Frederik Çapaliku flet për të gjitha këto. Shpjegon çfarë I ndodhi në karrierën e tij dhe pse e detyruan të heqë dorë nga Kombëtarja.

-Çapaliku, 70 vjeç I nderuar dhe I respektuar nga të gjithë. Ndjeheni komod në këto kushte?

-Natyrisht nuk ka sesi të jem ndryshe. Nderohem nga Bashkia, nga klubi Vllaznia dhe mbi të gjitha këto nderime më vijnë në një moment kur jam gjallë, madje I fortë dhe për këtë ndjehem dyfish I kënaqur.

-Karriera juaj është e mbushur me suksese, ndeshje të bukura, trofe dhe suksese. A mund të veçoni, momentin më të bukur të karrierës tuaj sportive?

-Momente të bukura kam patur shumë gjatë karrierës sime. Fitimi I trofeve, vlerësimi ndër lojtarët më të mirë të asaj periudhe etj. Megjithatë unë do vlerësoja një ndeshje në të cilën jam vlerësuar si më I miri ndër 22 futbollistët në fushë.Bëhet fjalë për një ndeshje në mes Vllaznisë dhe Tiranës, në vitin 1962. Ajo përfundoi 0-0 por unë u paraqita mirë dhe gazeta “Sporti Popullor” më kushtonte shumë rradhë në faqet e saj.

– Po momentin më të keq e mbani mend?

– Edhe momente të këqija kam patur në karrierën time por do veçoja dëmtimin që më kushtoi edhe largimin nga futbolli. Ka ndodhur në marsin e vitit 1972. Luanim kundër Dinamos dhe sulmuesi I saj Taip Çutra, në përpjekje për të mu shmangur, bën një finte me trup por pa arritur dot të më kalojë dhe për rrjedhojë bie mbi këmbën time, duke më plasur kockën e këmbës së djathtë.

Me atë dëmtim nuk bana ma hajër. Luajta edhe një apo dy ndeshje mbrapa por nuk mund të vazhdoja më. E lashë futbollin dhe në prill të atij viti zhvillova ceremoninë e lënies së futbollit njëkohësisht me shokun tim Selami Danin. Më erdhi keq që e mbylla karrierën këtu sepse mund të vazhdoja edhe më tutje. Isha vetëm 21 vjeç në atë periudhë.

-Mund të luanit edhe më shumë?

-Natyrisht. Unë gjithnjë jam dalluar për forcë fizike. Stërvitesha rregullisht dhe me formën që kisha, mund të vazhdoja edhe më tej. Por tek Vllaznia në ato vite u bë e modës që kur mbushje 30 vjeç, duhej të lije futbollin. Prandaj dhe nuk tentova më.

-Çfarë ju ka mbetur peng pa realizuar në karrierën tuaj?

-Veshja e fanellës së kombëtares. Nuk arrita ta bëj këtë qoftë edhe njëherë të vetme dhe kjo është brenga ime e madhe.

-Kolegu juaj Medin Zhega ka thënë se ish-trajneri I kombëtares Zyber KonçI jua ka bërë një ftesë në vitet 60’ por megjithatë nuk u thirrët. Pse?

-Lexuesit tuaj besoj se kanë dëgjuar për dënimet për arsye politike. Kështu ndodhi edhe me mua. Nuk kam arritur të luaj me kombëtaren për arsye të biografisë së keqe.

-Çfarë kishte që nuk shkonte në biografinë tuaj?

-Në biografinë time asgjë por në atë të bashkëshortes time, Terezinës. Ajo kishte probleme sepse babai I saj, Marash Leci ishte dënuar me 20 vjet burg pasi kishte tentuar të arratisej. Rrjedhojë e kësaj e pësova edhe unë.

-Si jua thanë këtë?

-Vuajtjet kanë qenë të mëdha për mua. U fejova me Terezinë në vitin 1965. Unë atëherë isha në kulmin e formës time sportive. Isha shumë I dashur për të gjithë tifozët dhe kur njerëzit më shihnin në rrugë me të fejuarën time, u bë jo pak bujë. Fjalët shumë shpejt tek njerëzit e Partisë.

Unë punoja në atë kohë në fabrikën e letrës dhe nuk vonoi dhe më thirri në zyrën e tij sekretari I Partisë I ndërmarrjes. “Mos e merr për grua atë-, më tha ai, sepse është bijë e një familje armike e popullit dhe Partisë”. Më bëri shumë përshtypje kjo gjë por isha I vendosur në rrugën time. “Nuk e bëj këtë,- I thashë,- sepse ky është fati I jetës time”. Që këtu fillojnë vuajtjet për mua.

-Që vazhdojnë me mosthirrjen në Kombëtare?

-Po. Sëbashku me Fatmir Frashërin e Mihal Gjikën, ishin mbrojtësit më të mirë të kampionatit në atë periudhë. Duke qenë kështu, trajneri I kombëtares Zyber KonçI kërkon të më ketë në ekip për ndeshjet e rradhës por përgjigja që mori në klub ishte kjo: “Mos u merr më me të”. E kuptova se tani e kishin kapur keq me mua. Drejtuesit e Partisë në rreth dhe në klub më thirrën në zyrë dhe më thanë tekstualisht: “O gruan, o kombëtaren”. Unë e kisha bërë tashmë zgjedhjen. Vendosa të zgjedh gruan sepse kisha vendosur për këtë.

-Ka qenë e vështirë për të bërë këtë zgjedhje?

-Jo, ua thashë menjëherë. “Ai është fati I jetës time,- u thashë.- Sikur t’I bie botës rrumbullak me futboll, ajo punë për të ndarë gruan nuk bëhet.

-Vendose ta ndiqje tjetërkund këtë çështje për të gjetur një zgjidhje?

-Po, shkova në Tiranë. I kërkova takim Kadri Hazbiut por në takim më doli sekretari I tij. “Përgjigjen shko merre në Shkodër, kot ke ardhur këtu”-më tha ai. E kuptova se ishte e kotë të vazhdoja të kërkojë më të drejtën time.

Do të vazhdonte persekutimi juaj më tej?

-Në vitet 1966-68 isha kapiten I skuadrës dhe Partia ndërhyri edhe këtu duke më hequr shiritin e kapitenit dhe ia dha Kol Gjonit. Kjo ndodhi pikërisht para marrjes pjesë në Kupën Ballkanike me ekipin e Vllaznisë. Kuptohet, Partia nuk mund të lejonte që një njeri me biografi të keqe, të ishte edhe kapiten skuadre.

-Luajtët në këto ndeshje të Kupës Ballkanike?

-në ato që luheshin në Shkodër, kam qenë pjesmarrës në të gjitha. Në ato jashtë, nuk bëhej fjalë. Biografia e keqe e gruas time, vazhdonte të më ndiqte por unë nuk isha pishman për zgjedhjen që kisha bërë.

-Çfarë të thonin para se skuadra shkodrane të nisej jashtë vendit?

-Nuk ishte nevoja të ma thoshin. Unë e dija se nuk do shkoja. Vetëm njëherë më gënjeu mendja. Luanim në Rumani për Kupën Ballkanike. Mbarojmë stërvitjen e fundit në Shkodër dhe trajneri Xhevdet Shaqiri pas saj, na thotë se në orën 09.00 duhej të ishim para Turizmit sepse do nisej autobusi për në Rumani.

Në listë isha edhe unë. Më erdhi si habi por mendova me vete se ndoshta gjërat kishin ndryshuar dhe do më lejonin të dilja edhe unë jashtë shtetit për herë të parë. Gabova edhe këtë herë. Sekretari I Partisë që mbulonte kulturën dhe sportin në rreth, më pa tek autobuzi dhe u çudit. “Po ti, çfarë ruan këtu. Merr çantën dhe ik”-më tha. U ndjeva I fyer në mënyrën më të rëndë. Madje I poshtëruar. Më vinte të plasja por e mbajta veten.

-Ndikoi ky fakt në formën tuaj?

-Aspak. Unë vazhdova I vetëm stërvitjen në Shkodër ndonëse ekipi ishte jashtë. I vura vetes pikësynim t’I mposhtja të gjithë këta kundërshtarë të mi me paraqitjet e mia në fushë. Ndonëse pa dëshirë, nuk u mposhta por vazhdova në rrugën time.

-Patët më ndonjë ftesë tjetër nga Kombëtarja?

-Po, edhe një rast tjetër ishte trajneri Loro BoriçI që nguli këmbë të më merrte në skuadër por sërish ia refuzuan këtë kërkesë në mënyrë të turpshme.

-Kur u rehabilituat?

-Thuajse asnjëherë. Megjithatë ka patur një moment kur mu ringjallën shpresat. Ka ndodhur në vitin 1972, pak para lënies së sportit. Na ra shorti të luanim në Kupat e Europës me Rapidin e Vjenës. Ekipi ishte I grumbulluar tek stadiumi. Na mblodhi Xhemal Dini dhe Enver Haliti, dy drejtuesit e lartë të sportit në Shkodër.

Na komunikuan kundërshtarin me të cilin do luanim dhe më pas Enver Haliti iu drejtua të gjithëve por duke drejtuar gishtin nga unë: “Jam këtu për t’u thanë të gjithëve se tani e tutje edhe ky njeri do dalë me ju jashtë shtetit”. U gëzuan pa masë të gjithë sepse u vinte keq për peripecitë që kisha kaluar.

-Dhe dolët tashmë jashtë Shqipërisë?

-Edhe këtu do më ndiqte fati I keq dhe kjo gjë nuk u realizua.

-Pse, çfarë ndodhi?

-Në fakt, ekipi u grumbullua në Razëm para këtyre ndeshjeve. Unë “nxirrja xixa” në stërvitje dhe mezi prisja këtë ndeshje sepse do ishte për mua e para që do kaloja kufirin. Por një ditë na thirrin me urgjencë në Shkodër.

Çesk Franja, sekretari I komitetit na mbledh dhe na thotë se Partia na kishte dënuar me 2 vjet mospjesmarrja në asnjë aktivitet ndërkombëtar. Bëhej fjalë këtu për të gjitha ekipet sportive, përfshi këtu edhe futbollin. Një vendim I Adil Çarçanit krejt I pakutueshëm por që duhej zbatuar. E pësonte Vllaznia e cila nuk duhej të luante me Rapidin e Vjenës. E pësova edhe unë. Ishte rrisku im I parë dhe I fundit.

-Pra e filluat dhe e mbaruar karrierën pa realizuar një ëndërr të madhe siç ishte për të gjithë, ajo për daljen jashtë shtetit?

-Në ato vite nuk kishim përfitime të tjera. Përfitimi më I madh ishte dalja jashtë shtetit dhe luajtja me kombëtaren. Unë nuk pata fatin të realizoj asnjërën dhe për këtë nuk jam ndjerë I plotë asnjëherë.

-Kur e kaluat kufirin për herë të parë në jetën tuaj?

-Mund të duket e çuditshme por e kam realizuar këtë vetëm në vitin 1992. Në moshën 51 vjeçare. U organizuan dy ndeshje miqësore veteranësh, në Podgoricë dhe Nikshiq. Ishte një ëndërr e realizuar por me shumë vonesë. Ndoshta nuk kishte më vlerë sepse pas viteve ’90, të gjithë ishim të lirë. Edhe unë, futbollisti me biografi të keqe.

-Në Shkodër ju vlerësojnë shumë për kontributin tuaj me Vllazninë në vite, por a mendoni se do kishit një emër më të madh nëse do kishit luajtur edhe me kombëtaren?

-Normal që po. Kam humbur jo pak në këtë aspekt por unë kështu erdhën ngjarjet. Sidomos ne shkodranët kemi vuajtur shumë nga ai rregjim.

-Me ardhjen e demokracisë, ngjarjet rrodhën ndryshe. Nëse do kishit gjë në dorë, çfarë do u kishte bërë Frederik Çapaliku atyre që ju bënë të vuanit në jetën tuaj?

-Po të kisha gjë në dorë, do t’I kisha pushkatuar. E them me plot gojën këtë gjë. Ata që u kanë bërë keq njerëzve, duhej ta kishin pësuar por në fakt nuk ka ndodhur dhe nuk po ndodh kjo gjë

-Nëse do ua kishin bërë sot pyetjen se kë do zgjidhje sërish në mes kombëtares dhe gruas, do ndryshonit mendim?

-Kam kaluar 45 vjet me Terezinën, gruan time dhe nuk jam I penduar aspak për zgjedhjen që kam bërë. Këtë zgjedhje do bëja sërish. Ai ishte fati I jetës time. Aq më tepër që tani kam edhe dy fëmijë të mrekullueshëm me të, të cilët nuk do I ndërroj me asnjë trofe, me asnjë kombëtare dhe asgjë tjetër.

-Nuk keni fituar një vend në 11-shen më të mirë të 90 viteve të Vllaznisë por keni qenë shumë pranë saj. Ju vjen keq që nuk jeni pjesë e atij formacioni?

-Nga sa kam marrë vesh, në atë anketë më kanë votuar në 11-shen më të mirë thuajse të gjithë bashkëkohësit e mi. kaq më mjafton. Kur më kanë vlerësuar ata, për mua është gjithçka. Nëse nuk jam në 11-shen e 90 viteve, kuptohet që ka ndikuar edhe fakti se nuk kam luajtur asnjë ndeshje me kombëtaren. Sherrin biografisë ia kam parë edhe këtu pra, por nejse…

-Mbaheni mend si një futbollist shumë luftarak dhe I vështirë për t’u kaluar. Kush kanë qenë sulmuesit më të vështirë për ju?

-Kundërshtarët më të vështirë për mua kanë qenë DimroçI I Besës dhe Thoma Duro I Dinamos dhe vetëm në fushat e tyre se në shkodër nuk bëhej fjalë t’I kisha problem. Ishin futbollistë të lehtë dhe unë e kisha të vështirë t’I ndaloja prandaj shpeshherë kam përdorur edhe forcën, edhe lojën e rëndë, madje me Duron kam një kujtim të keq.

-Cili është ai?

-Luanim në Tiranë, në stadiumin “Qemal Stafa” me Dinamon. Duro ma punoi keq në një moment. Madje më vuri takën mbi këmbën time dhe më doli gjak. Mjeku më këshilloi në pushimin e lojës të mos vazhdoja më sepse gjaku vazhdonte të më rridhte. Unë e kisha mendjen vetëm tek Duro.

Sapo hyra në fushë, shfrytëzova momentin e parë që më doli përpara dhe I kam ndërhyrë tepër rëndë. Në atë ndeshje ndoshta do kisha dalë 10 herë me karton të kuq. I gjithë publiku në stadium bërtiste “Nxirre jashtë kriminelin”. Nuk e doja veten në ato momente. Gjyqtari Shazivar Gruda më thërriti dhe më këshilloi por unë e kisha të qartë se e kisha tepruar. Nëse do kishte kartona atëherë, do kisha dalë jashtë. Futbolli I kishte këto por edhe unë e kam pësuar në jo pak raste nga ndërhyrjet e rënda të kundërshtarit.

-Keni luajtur në vitet ’60, ç‘mendim keni për futbollin e atyre viteve?

-Futbolli në Shkodër në vitet 60’- 70’ mendoj se ka patur kulmin e tij. Jo më kot, futbollistët më të mëdhenj të historisë së Vllaznisë kanë dalë në ato vite.

-Së fundi, klubi Vllaznia ju dhuroi me rastin e 70 vjetorit fanellën kuqeblu me numrin 2. Do ta ruani gjatë atë?

-Numri 2 nuk më është ndarë kurrë nga jeta ime. E kam mbajtur gjatë gjithë karrierës time në shpinë, nga viti I parë deri në të fundit. Por me 2-shin kam qenë “I dashuruar” edhe në shkollë. Kam qenë nxënës I keq dhe gjithmonë merrja notën 2-sh që ishte notë e keqe. Nuk e kisha mendjen tek librat por tek topi sepse ai ishte pasioni im I madh. Por nuk jam penduar për të sepse futbolli më ka bërë të njohur në mbarë vendin.

-Fetja, futbollisti më popullor në Shkodër

Në listën e më të mëdhenjve nuk ka atë emër si Rragami, Bizi, Zhega, Ndoja etj por Frederik Çapaliku ka një privilegj tjetër shumë të madh. Ai është konsideruar gjithmonë dhe vazhdon të jetë I tillë edhe tani si futbollisti më popullor në historinë e klubit Vllaznia.

E pyesim Fetjen, kështu e thërrasin miqtë e tij, pse ka qenë kaq popullor dhe përgjigja e tij është e thjeshtë: “më quajnë më popullori dhe kjo është e vërtetë. Arsyeja sipas mendimit tim, ka të bëjë me raportet që unë krijoja me to. Me të mbaruar stërvitjet apo ndeshjet, tifozët më rrethonin, më pyesnin për ndeshjen dhe unë nuk përtoja t’u ktheja përgjigje. E bëja me shumë dëshirë dhe ata më respektonin.

Tifozët shkodranë kanë qenë vërtetë të mrekullueshëm. Nuk e harroj kurrë historinë e ardhjes së tyre me biçikleta deri në Tiranë, Durrës a Kavajë për të ndjekur në ndeshje. Me mua, siç e thashë, raportet e tifozëve kanë qenë të veçanta. Unë I kujtoj si sot ditët kur dilja me të fejuarën time në qendër të qytetit për të pirë një kafe apo për të ngrënë një ëmblësirë por me t’u ulur në tavolinë, ajo mbushej plot dhe nuk e dija nga kush.

Secili kërkonte të më qeraste por unë vihesha në siklet nga kjo gjë”- thotë Çapaliku. 70 vjeçari ka edhe kujtime të tjera të bukura me tifozët dhe prandaj ai kujton edhe diçka tjetër teksa thotë: “Në shumë ndeshje, tifozët vinin në atë tribunë ku isha unë afër. Kur ndërronin portat në pjesën e dytë, shihja një grup prej 200-300 vetësh që ndërronte tribunë vetëm e vetëm që të ishin afër meje. U pëlqente mënyra si luaja, kisha të njëjtën ego në çdo ndeshje, luaja fort dhe atyre u pëlqente kjo gjë, prandaj dhe vlerësohem si më popullori”.

-Fanella me numrin 2, identifikimi me emrin e tij

Gjatë gjithë jetës së tij ka luajtur me fanellën me numër 2. Ky numër për gjithë ato vite, identifikohej me emrin e Frederik Çapalikut. Aktivizimi I tij në krahun e djathtë të mbrojtjes së Vllaznisë ishte një shqetësim I madh për të gjithë kundërshtarët.

2-shi I shkodranëve nuk toleronte kollaj në fushë. Për rrjedhojë, shumë herë trajnerët e ekipeve kundërshtare, udhëzimin e parë që u jepnin sulmuesve të tyre ishte për të ndryshuar krahun në aksionet e tyre. Duhej sulmuar më shumë në të majtin sepse në atë tjetrin ishte Çapaliku, një futbollist me të cilin kishe fjalë pak.

Karriera

E ka nisur futbollin herët në Shkodër dhe shumë shpejt do binte në sy për vlerat e tij. Afrohet tek ekipi I parë I Vllaznisë në vitin 1959 duke qenë menjëherë në formacionin e parë, vend të cilin ai nuk do ta lëshonte deri në ditën e fundit të lënies së karrierës së tij.

Gjatë këtyre viteve, ai ka fituar Kupën e Republikës në vitin 1965 me skuadrën shkodrane dhe më pas ka një pjesë të meritës edhe në sezonin 1971-72 kur Vllaznia ka fituar të dy trofetë e atij sezoni. Për fatin e keq të tij nuk arriti të zhvillonte asnjë ndeshje me kombëtaren për shkak biografie dhe ka luajtur vetëm pak ndeshje të vlefshme për Kupën Ballkanike (kuptohet ato që luheshin në Shkodër sepse jashtë as që nuk bëhej fjalë.

Pas lënies së futbollit të luajtur, ka vazhduar karrierën si trajner i ekipit të të rinjve duke punuar sëbashku me Nikoll Gjergjin dhe duke bërë një punë të mirë për nxjerrjen e elementëve të rinj.

Nderimi

Të shtunën që kaloi Frederik Çapaliku ka mbushur 70 vjeç. një përvjetor që e ka gjetur atë në “top-formë”. E ka festuar me miq e shokë dhe në këtë ditë të shënuar edhe Bashkia Shkodër ka vendosur ta nderojë me titullin “Mirënjohja e Qytetit”. Natyrisht e ka merituar, madje shumë më herët ndoshta sepse karriera e tij ka qenë e shkëlqyer duke dhënë një kontribut të madh në historinë e futbollit shkodran.

Nga an e klubit të futbollit Vllaznia, presidenti Valter Fushaj i dhuroi fanellën me numrin 2 që ka mbajtur në shpinë dhe vetë veteran ii futbollit shkodran u shpreh se atë fanellë do ta ruante si relikë të karrierës së tij sportive. Përveç nderimit të fundit nga Bashkia Shkodër, Çapaliku është nderuar më parë edhe me titullin “Mjeshtër Sporti”, me “Medaljen e Argjendtë”dhe me çmimin “Palok Nika”