Nga Gjergj KOLA

Nëse flasim për çiklizmin në Shkodër, vërtetë që banorët e këtij qyteti kanë me se të krenohen ngaqë pjestarë të denjë të tillë kanë organizuar të parin Rreth Çiklistik që në vitin 1925, Rreth që tashmë ka hyrë si I pari në Europë për amatorët.

Por nëse ecim më tej, emri I parë që I ka bërë shkodranët me sukseset e tij në këtë sport, është padyshim Fadil Muriqi. Sot është momenti për ta kujtuar sepse kjo ditë përkon me 95 vjetorin e lindjes së tij.

Ai ka lindur në Tuz të Malit të Zi më 6 maj 1929 e më pas familja e tij do të vendosej në Shkodër, qytet ku dhe mbylli sytë 80 vjet më vonë. Fadil Muriqi do të mbetet gjithmonë në historinë e çiklizmit sepse jo vetëm ishte vetë një kampion, por u rrënjosi dëshirën për t’u marrë me këtë sport edhe tre pjestarëve të tjerë të familjes së tij.

Fadili është kampion i padiskutueshëm i çiklizmit në vitet ’50 duke dominuar në shumë gara të zhvilluara. Katër rrethet çiklistike që Fadili ka fituar në vitet 1950-53 janë një tregues i talentit dhe klasit të lartë që ai zotëronte. I vlerësuar si një ndër “Sportistët e Shekullit” në Shkodër, me rastin e festimit të 100 vjetorit të klubit Vllaznia, është nderuar edhe me titullin e lartë “Krenaria e Qytetit”.

Të gjithë këto tituj sigurisht që I ka merituar dhe jo vetëm aq. Nderimi që u duhet bërë figurave të tilla duhet të jetë më i madh. Në të gjitha drejtimet dhe jo vetëm kur ata largohen nga kjo botë.

Familja Muriqi si askush tjetër përmbi 60 vjet ka dhënë gjithçka të tyren për këtë sport me katër pjestarët e saj, Fadili, Ganiu, Ruzhdia dhe Fuati. Nëse çiklizmi në Shkodër personifikohet me familjen Muriqi, merita është e gjitha e Fadilit.

Si djali më i madh i kësaj familje, ai ushqeu pasionin për çiklizmin edhe tek dy vëllezërit e tjerë, Gania dhe Ruzhdia. Të dy ata e pasuan në rrugën e bukur edhe si sportistë por edhe si trajnerë. Madje përpos tyre, edhe i nipi, Fuati që dha edhe jetën në krye të detyrës duke drejtuar ekipin në stërvitje.

Fadil Muriqi është ndarë nga jeta më 28 nëntor 2009, në moshën 80 vjeçare por do të mbetet gjithmonë I gjallë në historinë e çiklizmit shkodran dhe shqiptar, si një nga korifenjtë e tij./www.shkodrasport.com/