Nga Endri ÇINARI
Edhe ditën e sotme do ketë aktivitet në futbollin shqiptar. Ku skenën do e marrin ekipet e Kategorisë së Parë të cilat luajnë ndeshjet e “play off” për ngjitjen në Superligë sezonin tjetër. Kështu në orën 14:00 dhe 15:00 do ketë dy sfida shumë interesante në Burrel dhe Durrës, mes 4 skuadrave që kanë zhvilluar një sezon të kënaqshëm në Kategorinë e Parë.
Kështu surpriza e këtij edicioni, Burreli që u rendit në vendin e katërt gjatë sezonit të rregullt, pret në shtëpi Pogradecin. Ku edhe liqenorët patën një ngritje në pjesën e dytë të sezonit. Duke u renditur kështu në skuadrat që do tentojnë ngjitjen në Superiore. Një duel për të mos u humbur, ku matjanët e drejtuar nga Ditmar Bicaj do kërkojnë të vijojnë ëndrrën dhe sezonin e tyre fantastik.
Në Durrës në orën 15:00 po ashtu “vendasit” e Besës së Kavajës do presin Apoloninë e Fierit. Me verdhezinjtë që vetëm për 1 pikë nuk arritën të ngjiteshin direkt në Superiore. Dhe ditën e sotme duken favoritë në letër përballë fierakëve. Që nga ana e tyre pavarësisht se kanë pasur një nga skuadrat më të reja të ligës, kanë ditur të zhvillojnë futboll cilësor dhe fitues. E ndërsa sot mund të tentojnë surprizën ndaj kavajasve.
Dy skuadrat që do dalin triumfatore në këto dy duele, do ndeshen së bashku në një finale pastaj. Për të përcaktuar skuadrën që do luajë pastaj për ngjitjen finale në Superiore. Me kundërshtarin që do vijë nga elita dhe konkretisht ekipi që do renditet i 8-ti në përfundim të Superiores.(www.shkodrasport.com)