Këshilli i Bashkisë së Vlorës pritet të miratojë shtyrjen e afatit, përsa i përket administrimit të klubit të futbollit Flamurtari, që siç dihet, administrohet nga Sinan Idrizi që nga viti 2014. Por këtë radhë ndryshimi është se shtyrja e procesit të administrimit për Sinan Idrizin nuk do të jetë më me afat 1-vjeçar, por deri në nisjen e procesit të privatizimit, i cili pritet të ndodhë shumë shpejt.

Këshillli bashkiak i qytetit të Vlorës do të mblidhet të enjten e ardhshme, ku pritet të marrë një vendim tepër të rëndësishëm për të ardhmen e klubit të futbollit Flamurtari, përsa i përket administrimit të tij. Aktualisht klubi vlonjat deri në fund të këtij muaji është nën administrimin e presidentit Sinan Idrizi, pas vendimit të miratuar një vit më parë. Por tashmë shtyrja e procesit të administrimit të klubit Flamurtari nuk do të jetë më një vit por deri në nisjen e procedurave të privatizimit, gjë që pritet të nisë sa më shpejt.

Flamurtari prej vitit 2014 është nën administrimin e Sinan Idrizit, ndërsa kontratat me Bashkinë e Vlorës, që është edhe pronare e klubit janë rinovuar për çdo vit apo edhe një herë në dy vjet. Privatizimi është kërkuar me ngulm disa herë nga vetë Idrizi, e tashmë në mbledhjen e radhës Këshilli i Bashkisë Vlorë pritet që të vendosë që afati i administrimit të klubit Flamurtari do të jetë deri sa të nisë procesi i privatizimit dhe jo më me afate kohore.

Prej vitit 2014 të gjitha investimet tek Flamurtari kanë qenë të vetë Idrizit, ndërsa prej më shumë se 10 vitesh bashkia nuk shpenzon asgjë për klubin e futbollit.