Shqipëria dhe Serbia do të jenë pritëset e Kampionatit Europian U21 në vitin 2027, eveniment që do ta organizojnë bashkërisht. Ajo që ishte thjesht një ide, tashmë duket se do të bëhet realitet, në bazë të asaj që ka komunikuar UEFA sot.
Institucioni i cili drejton futbollin në kontinent ka bërë të ditur se me mbylljen e afatit për dorëzimin e kandidaturave për këtë aktivitet, e vetmja që ka mbërritur në zyrat e saj është pikërisht kjo e dy vendeve ballkanase dhe tashmë po merret në shqyrtim projekti. Belgjika dhe Turqia kishin shfaqur fillimisht interes për të zhvilluar këtë aktivitet, por më pas ishin tërhequr dhe askush tjetër nuk kishte paraqitur një kandidaturë zyrtare.
UEFA ka bërë të ditur se Serbia dhe Shqipëria kanë dorëzuar një projekt të detajuar të kandidaturës së tyre këtë javë dhe kjo praktikisht e bën këtë projektin fitues, me zyrtarizimin që tashmë është thjesht formalitet dhe pritet të bëhet zyrtar në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të 16 dhjetorit.
Sipas planit, Serbia do të organizojë pjesën më të madhe të ndeshjeve të turneut me 16 skuadra, në të cilin luhen 31 takime dhe nevojiten 8 stadiume të standarteve ndërkombëtare, arsye pse pala serbe kishe nevojë për ndihmë nga një prej vendeve të rajonit, duke siguruar bashkëpunimin me Shqipërinë.
Tani pritet të mësohet se si do të reagojë opinioni në vendin tonë pas këtij organizimi, duke kujtuar se pasi u bë publik lajmi për idenë e këtij bashkëpunimi, kishte shumë kundërshti nga tifozeritë e organizuara që mbështesin Kombëtaren shqiptare.