Pep Guardiola tregoi një pakënaqësi të lehtë, pavarësisht fitores 6-0 kundër Al-Ain në Botërorin për Klube, duke theksuar se objektivi kryesor mbetet sigurimi i vendit të parë në Grupin G, edhe për të shmangur një përballje të mundshme me Real Madridin në 1/8 finale: “Shtuam presionin dhe kërkuam të shënonim edhe një gol tjetër për të siguruar vendin e parë në grup, por nuk ia dolëm. E dimë mirë çfarë duhet të bëjmë kundër Juves për të mbërritur në krye”.

Pra, trajneri spanjoll e ka mendjen tashmë të përqendruar te ndeshja vendimtare kundër bardhezinjve. Pep lavdëroi rikthimin gradual të Rodrit, i cili po kthehet nga një dëmtim i rëndë në gju: “Po ecën hap pas hapi. Nuk mund të luajë më shumë se 30 minuta, ende e ka të vështirë në duelet fizike, por sot ishte më mirë se në ndeshjen e kaluar. Na ka munguar shumë. Çdo skuadër do të kishte vështirësi pa një lojtar si ai”.

Guardiola foli edhe për talentin e ri, Claudio Echeverri: “Më vjen keq për kyçin e këmbës së tij, që e detyroi të ndalonte në pushim. Është një talent i jashtëzakonshëm në hapësira të ngushta. Jam i lumtur për të, shënoi një gol të mrekullueshëm”.

Në fund, Pep theksoi rëndësinë e thellësisë së skuadrës: “Ndryshuam shumë lojtarë krahasuar me ndeshjen e fundit dhe treguam forcën tonë, aftësinë për t’u përshtatur”./telesport/