Sot bëhen plot 10 vjet. Pikërisht nga momenti kur Ferdinand Jaku, ideuesi dhe themeluesi i këtij ekipi, bashkë me një të afërm të tij, Marin Jakun, do të krijonin të parin ekip të futbollit të femrave në Shqipëri. Ishte 6 shtatori i vitit 2005, një datë që do të hynte në historinë e këtij futbolli në vendin tonë. Atëherë nisi thjesht si pasion por që më pas do kthehej në “sëmundje” për Fredin dhe shumë të tjerë. Dhe jo më kot, sot në Shqipëri ekzistojnë plot 12 ekipe femrash. Por para 10 vitesh ishte një tabu që femrat të luanin futboll. Ferdinand Jaku, një njeri i apasionuar pas sportit dhe një tifoz i zjarrtë i Vllaznisë, ndonëse punonte në Spitalin Rajonal të Shkodrës si kryeinfermier, nuk mund të hiqte nga sporti dhe pranë shtëpisë së tij në fshatin Juban, vetëm 5 km larg qytetit, do të ndërtonte një fushë kalçetoje.

Pikërisht ajo fushë, pikërisht pasioni i tij, bëri që të mendonte t’i bënte vajzat e fshatit të luanin futboll. Për të bërë atë që se bënte askush tjetër, në asnjë qytet apo fshat të Shqipërisë. Dhe fotoja e mëposhtme, e bërë më 6 shtator plot 10 vite më parë, ka sigluar edhe emrat e vajzave të para futbolliste.

Ato janë Lizana Jaku, Emanuela Jaku, Terezina Lazri, Agetina Ndreka, Tereza Ilia, Vera Ndreka, Manjola Ejlli, Loreta Jaku, Marije Ilia, Eleni Marku, Xhulia Preçi, Agetina Marku, Terezina Palushi, Albina Gjuraj dhe Dorina Gjoni. Bashkë me ta edhe Marin Jaku si trajner dhe padiskutim, Ferdinand Jaku si presidenti i parë i futbollit të femrave në Shqipëri. Po ky ekip ka zhvilluar edhe të parën ndeshje ndërkombëtare të futbollit të femrave në vendin tonë, atë ndaj përfaqësueses së Kosovës. Ajo është luajtur më 18 maj 2008 në stadiumin “Loro Boriçi” dhe është fituar kuptohet nga kosovaret me më shumë përvojë me rezultatin 7-2 dhe dy golat për këtë ekip në këtë ndeshje historike janë shënuar nga Emanuela Jaku dhe Ana Baro. Vërtetë një koinçidencë e bukur. Në Shkodër është luajtur për herë të parë futboll (ai i meshkujve) në vitin e largët 1905. Po në këtë qytet është luajtur në vitin 1913 edhe ndeshja e parë ndërkombëtare, ajo në mes ekipit vendas Indipendent dhe një formacioni austro- hungarez. Me femrat e njëjta histori. Në Shkodër lind gjithçka. Më 2005 krijohet i pari ekip- Juban Danja dhe më 2008 luhet e para ndeshje ndërkombëtare.Në këto 10 vite ekzistencë, Juban Danja ka arritur të fitojë dy herë trofeun e Kupës së Shqipërisë pikërisht në sezonet 2011-12 dhe 2012-13 ndërkohë që në disa vite ka qenë në finale dhe po ashtu disa herë është renditur edhe në vend të dytë në kampionate duke qenë kësisoj një nga ekipet elitare në vend. Trajnerë të kësaj skuadre në vite kanë qenë Gjon Ndreka, Kreshnik Krepi, Entri Çaku, Emanuela Jaku dhe Shpëtim Rama.

Nga ky ekip shumë prej vajzave të tij janë pjesë e ekipeve kombëtare të Shqipërisë. Nga rradhët e këtij ekipi ka dalë një nga golashënueset më të mira të futbollit të femrave në Shqipëri, pikërisht Emanuela Jaku e cila madje ka shënuar edhe një rekord duke shënuar plot 19 gola në një ndeshje të vetme. Sot pas 10 vitesh, Juban Danja ndjehet krenare për atë që ka bërë. Kuptohet edhe themeluesi i saj- Ferdinand Jaku. Pjesa më e rëndësishme e jetës së tij në këto vite i është kushtuar këtij ekipi. Të cilit i ka dhuruar edhe dy vajzat futbolliste, Emanuelën dhe Paulën, që janë dy lojtare të talentuara dhe anëtare të ekipeve kombëtare. Këtë të dielë, Fredi ka planifikuar një festë me rastin e këtij përvjetori. Ka ftuar shumë miq dhe kolegë. 6 shtatori i vitit 2005 kuptohet që nuk duhet kaluar në heshtje. Ai meriton vlerësim dhe besoj se do ia japin të gjitha mediat. Sepse “Juban Danja” është e para në Shqipëri dhe meriton respekt.
Gjergj KOLA