Situata tek ekipi I basketbollit të meshkujve të Vllaznisë, kampion në fuqi I vendit, nuk duket shumë e mirë. Përveçse nuk është konfirmuar marrja pjesë në Ligën Ballkanike, deri në janar ky ekip nuk do të shfaqet si pretendent as në kampionatin shqiptar. Këtë e tregon më së miri fakti se nuk do ketë asnjë lojtar të huaj të blerë për këtë periudhë dhe po ashtu, edhe dy prej basketbollistëve të sezonit të kaluar, Eni Llazani dhe Fatjon Taraboshi, nuk kanë pranuar të firmosin kontratat e reja. Kjo e vë në dyshim të ardhmen e tyre me Vllazninë në sezonin e ri. Në këtë mënyrë, me lojtarët e mbetur në skuadër apo dhe me të tjerë të ofruar nga ekipi I të rinjve do të tentohet mbajtja e njërit prej katër vendeve të para deri në janar dhe më pas do të tentohet hyrja në merkato për të marrë lojtarë cilësorë dhe për të tentuar sërish titullin kampion. Megjithatë këtë sezon nuk do të jetë e lehtë pasi edhe ekipet e Kamzës e Tiranës janë përforcuar dhe do të kërkojnë edhe ata titullin kampion. Vllaznia kësisoj nuk duket në pozita të forta, të paktën për momentin. Në fakt emocionet që na ka dhuruar ky ekipe në dy sezonet e fundit kanë qenë vërtetë të mëdha për të gjithë shkodranët dhe boshatisja e pallatit të sportit të sportit do të ishte një mëkat.
Gjergj KOLA