Merkatoja e kësaj vere ka sjellë një lajm të mirë për ekipin e basketbollit të femrave të Vllaznisë. Gazeta “SHKODRA SPORT” mëson se dy lojtaret shkodrane që sezonin e kaluar ishin pjesë e Studentit, pikërisht Anisa Bokrina dhe Anisa Musaja, janë rikthyer në Shkodër duke iu bashkuar sërish ekipit kuqeblu.
Ky padyshim që është një përforcim i rëndësishëm për skuadrën e drejtuar nga trajnerja Medina Mustafa sepse kemi të bëjmë me dy lojtare cilësore dhe që janë prej vitesh pjesë e ekipeve kombëtare të moshave.
Bokrina dhe Musaja, sëbashku edhe me Rreshpjen, Dashjen, Hykën etj, do të krijojnë një ekip interesant megjithatë nuk bëhet fjalë konkurrues sepse 2-3 ekipe të tjera pretendente shpenzojnë shumë nga ana financiare duke marrë lojtare të huaj dhe Vllaznia nuk e ka këtë luks.
Megjithatë me këto dy lojtare tashmë në përbërje, ekipi shkodran është më i plotë dhe po përgatitet të bëjë një sezon të mirë duke treguar vlerat e duhura përballë çdo kundërshtari.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


