Trajneri i Vllaznisë, Çaba Laszlo do ketë në dispozicion një tjetër element cilësor në vijim, pasi me ekipin e parë tashmë ka nënshkruar edhe anësori i majtë Flori Spahija.
Djaloshi shkodran ishte bërë pjesë e ekipit B të kuqebluve në këtë edicion dhe po tregonte në radhët e tij sa vlen, siç bëri edhe dje në suksesin 4-2 ndaj Shirokës në Kategorinë e Dytë. Futbollisti 23-vjeçar shënoi një supergol në pjesën e parë të ndeshjes, me një goditje të fortë nga e majta që la në vend portierin kundërshtar.
Pas ndeshjes, trajneri i Vllaznisë B, Brikeno Bizi, ishte ai që bëri zyrtare firmën e mbrojtësit, duke treguar se ka nënshkruar tashmë për ekipin e parë ku do të fillonte të aktivizohej më rregullisht.
“Ka nënshkruar kontratë me ekipin e parë. I uroj Florit, që është sportist i mrekullueshëm dhe një djalë shumë i mirë dhe finalizoi sot kontratën me një ndeshje të mirë”, tha Bizi duke zbuluar kësisoj se mbrojtësi i majtë do i shtohej futbollistëve në dispozicion të trajnerit Laszlo në ekipin e parë.


