Tuesday, May 26, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREVËZHGIMI/ Shkodranët protagonistë të Superiores, ja formacion i tyre

VËZHGIMI/ Shkodranët protagonistë të Superiores, ja formacion i tyre

Shkruar nga Endri ÇINARI

Sezoni i Kategorisë Superiore po shkon drejt fundit dhe edhe njëherë tjetër futbollistët shkodranë kanë ditur të lënë gjurmën e tyre në elitën e futbollit shqiptar. Jo vetëm tek Vllaznia, por edhe në shumë skuadra të tjera të kampionatit, lojtarët nga kryeqendra e veriut dhanë kontributin e tyre, dikush më shumë e dikush më pak, ndërsa disa prej tyre provuan për herë të parë emocionet e Superiores. Në një kampionat ku numri i futbollistëve të huaj është rritur ndjeshëm vitet e fundit, talenti shkodran vazhdon të mbetet një garanci dhe një burim i rëndësishëm për ekipet shqiptare.

“Shkodra Sport” ka përzgjedhur një formacion simbolik me futbollistë shkodranë që gjatë këtij sezoni janë aktivizuar në Superiore, por jo me fanellën e Vllaznisë. Një skuadër që përfaqëson më së miri shpërndarjen e talentit shkodran thuajse në gjithë kampionatin dhe që dëshmon vazhdimësinë e traditës sportive të qytetit.

Në portë është vendosur Kiri i Dinamos, i cili këtë sezon mori minutat e para me skuadrën blu në elitën e futbollit shqiptar, duke fituar eksperiencë të rëndësishme dhe duke treguar siguri sa herë iu dha mundësia. Përpara tij, në repartin defensiv, spikasin emra tashmë të njohur të Superiores si Fangaj me Egnatian, një nga mbrojtësit më të qëndrueshëm të kampionatit, Pjeshka tek Flamurtari, Preka me Partizanin dhe Repaj tek Vora, të cilët kanë dhënë kontribut të vlefshëm në objektivat e skuadrave të tyre.

Edhe mesfusha ka pasur përfaqësim të denjë shkodran. Marku me Flamurtarin dhe Qardaku me Dinamon kanë qenë pjesë aktive e skuadrave respektive gjatë sezonit, ndërsa Delaj tek Elbasani, ndonëse me minuta më të kufizuara, ka shijuar Superioren.

Në repartin ofensiv bie në sy debutimi i Qokthit me Partizanin, një tjetër talent që provoi për herë të parë Superioren këtë sezon. Po ashtu edhe Maksuti me Flamurtarin arriti të marrë hapësirat e tij në elitë dhe të tregojë vlerat duke shënuar 12 gola. Ndërsa Gruda me Egnatian kompleton formacionin shkodran, duke sjellë cilësi dhe energji në sulm. Një grup lojtarësh që, pavarësisht moshës apo eksperiencës, treguan se Shkodra vijon të mbetet një “fabrikë” futbolli dhe një furnitore e rëndësishme për ekipet e elitës shqiptare.

Ky formacion simbolik është një tjetër dëshmi se tradita sportive e Shkodrës mbetet e gjallë. Në një kampionat ku klubet po investojnë gjithnjë e më shumë tek lojtarët e huaj, futbollistët shkodranë vazhdojnë të gjejnë hapësira dhe të tregojnë vlerat e tyre. Një tregues i qartë se futbolli në qytetin verior vazhdon të prodhojë talente dhe se emri i Shkodrës mbetet i lidhur ngushtë me historinë dhe të tashmen e futbollit shqiptar.

KIRI
FANGAJ-PREKA-REPAJ-PJESHKA
QARDAKU-MARKU-DELAJ
QOKTHI-MAKSUTI-GRUDA

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments