Tuesday, May 26, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORESulmi nën ‘akuzë’, tek Vllaznia mungojnë golat

Sulmi nën ‘akuzë’, tek Vllaznia mungojnë golat

Shkruar nga Endri ÇINARI

Kriza e sulmit të Vllaznisë është shfaqur qartazi pikërisht në momentin më vendimtar të sezonit, në ndeshjet e “Final 4”, aty ku pritej që kuqeblutë të demonstronin forcën dhe cilësinë e tyre në repartin ofensiv. Në vend të kësaj, skuadra shkodrane ka prodhuar shumë pak në fazën sulmuese, duke lënë përshtypjen e një ekipi pa ide dhe pa forcën e nevojshme për të bërë diferencën në duelet më të rëndësishme të kampionatit.

Në dy përballjet vendimtare, Vllaznia ka arritur të realizojë vetëm një gol dhe ai ka ardhur nga një mesfushor si Qato, çka flet shumë për problemet që po kalon vija e parë sulmuese. Sulmuesit kuqeblu kanë qenë larg pritshmërive, pothuajse të padukshëm në zonën kundërshtare dhe pa ndikimin që kërkohet nga lojtarë që mbajnë peshën e repartit ofensiv të një skuadre pretendente për titull.

Megjithatë, kjo situatë nuk është diçka e re për ekipin shkodran. Ajo vjen në vazhdën e paraqitjeve zhgënjyese që Vllaznia ka treguar gjatë gjithë fazës së katërt dhe finales së kampionatit. Statistikat janë alarmante për një ekip që pretendon të shpallet kampion: vetëm 6 gola të shënuar në 9 ndeshje. Shifra që tregojnë qartë mungesën e efikasitetit dhe krizën që ka përfshirë repartin ofensiv në momentin më delikat të sezonit.

Në futboll, ndeshjet e mëdha vendosen shpesh nga detajet dhe nga lojtarët që marrin përsipër përgjegjësinë në repartin sulmues. Pikërisht aty ku pritej të vinte diferenca nga Vllaznia, skuadra nuk arriti të japë përgjigjen e duhur. Sulmi kuqeblu ka dështuar të jetë vendimtar, duke lënë skuadrën pa forcën kryesore që nevojitet për të fituar duele direkte dhe për të mbajtur gjallë ëndrrën e titullit.

Tashmë është e qartë se një nga arsyet kryesore pse Vllaznia po largohet nga objektivi madhor lidhet pikërisht me mungesën e golit. Në një fazë ku çdo rast dhe çdo episod ka peshë të jashtëzakonshme, kuqeblutë nuk kanë pasur liderin ofensiv që të marrë skuadrën për dore. Dhe në fund, kriza e sulmit rrezikon të mbetet fotografia më e qartë e një sezoni që premtoi shumë, por që në momentin vendimtar nuk po arrin të japë atë që pritej.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments