U mbyll me sukses kursi për Drejtor Sportiv i organizuar nga Federata e Futbollit, ku u diplomuan 31 kursantë që përfaqësojnë një brez të ri profesionistësh në menaxhimin sportiv të klubeve shqiptare.
Ceremonia e diplomimit u zhvillua në praninë e Drejtorit Teknik të FSHF-së, Abdyl Kuriu, dhe anëtarit të KE të FSHF, Gjergji Petro, si dhe me pjesëmarrjen e të ftuarit special, Presidentit të KF Skënderbeu, Ardian Takaj.
Gjatë ceremonisë, Takaj ndau eksperiencën e tij shumëvjeçare në futbollin shqiptar dhe ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e rolit të drejtorit sportiv në ndërtimin e projekteve të qëndrueshme dhe konkurruese. Ai u ndal edhe te përvoja e tij me Skënderbeun, duke kujtuar periudhën e sukseseve historike të klubit dhe pjesëmarrjet në UEFA Europa League, një arritje e rëndësishme për futbollin shqiptar.
Në këtë kurs u diplomuan edhe emra të njohur të futbollit shqiptar që kontribuojnë aktualisht në klube të ndryshme, mes tyre Vioresin Sinani, Luan Pinari dhe Renato Malota. Përveç Sinanit, janë diplomuar si drejtorë sportivë edhe dy shkodranë të tjerë, pikërisht Ardit Mani dhe Seno Fishta.
Ky program i FSHF-së synon të rrisë profesionalizmin në administrimin sportiv dhe të forcojë kapacitetet drejtuese në klubet shqiptare, duke krijuar standarde më të larta në menaxhimin e futbollit modern.


