FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREIldi Gruda shkëlqen në Europë, shkodrani tërheq vëmendjen e klubeve të huaja

Ildi Gruda shkëlqen në Europë, shkodrani tërheq vëmendjen e klubeve të huaja

Shkruar nga Endri ÇINARI

Ildi Gruda po kalon një moment mjaft pozitiv me fanellën e Egnatias, duke u shndërruar në një nga protagonistët e skuadrës së drejtuar nga Nevil Dede. Sulmuesi shkodran po spikat veçanërisht në arenën europiane, ku me paraqitjet e tij ka treguar se mund të bëjë diferencën edhe përballë kundërshtarëve të nivelit të lartë.

Në dy ndeshjet e Conference League ndaj skuadrave daneze të Midtjylland dhe Aarhus, 26-vjeçari ka qenë vendimtar për rogozhinasit. Gruda ka gjetur rrugën e rrjetës në të dyja takimet, të cilat janë mbyllur në barazim 1-1, duke konfirmuar formën e mirë dhe rëndësinë që ka fituar në repartin ofensiv të Egnatias.

Paraqitjet pozitive të shkodranit nuk kufizohen vetëm në kompeticionet europiane. Edhe në kampionat, Gruda ka dhënë kontributin e tij, ndonëse deri më tani ka regjistruar vetëm një gol. Shpejtësia, aftësia për të sulmuar hapësirat dhe depërtimet e tij e kanë kthyer në një rrezik konstant për mbrojtjet kundërshtare, duke i dhënë Egnatias më shumë alternativa në fazën sulmuese.

Një formë e tillë duket se nuk ka kaluar pa u vënë re edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Sipas informacioneve pranë lojtarit, disa klube europiane kanë shfaqur interes për shërbimet e sulmuesit 26-vjeçar. Megjithatë, për momentin nuk bëhet fjalë për një ofertë konkrete në zyrat e Egnatias, ndërsa mbetet për t’u parë nëse interesimi do të shndërrohet në një lëvizje konkrete gjatë merkatos së janarit.

Egnatia, ndërkohë, ka treguar në vitet e fundit se di të operojë me sukses në merkato, duke realizuar transferime të rëndësishme dhe shitje që kanë tërhequr vëmendjen. Në këtë kontekst, Gruda mund të jetë një tjetër emër që do t’i bashkohet listës së futbollistëve të larguar drejt një aventure jashtë vendit, nëse paraqitjet e tij vijojnë të jenë në të njëjtin nivel.

Për Ildi Grudën, një transferim i mundshëm në janar do të përfaqësonte një hap të rëndësishëm në karrierë. Përveç Egnatias, sulmuesi shkodran është aktivizuar në Shqipëri edhe me Teutën dhe Vllazninë, ndërsa në një moshë të re ka provuar eksperiencën jashtë vendit me Valettan në Maltë. Tashmë, me golat në Europë dhe interesimin e klubeve të huaja, ai synon të shfrytëzojë momentin për të hedhur një tjetër hap përpara.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments