Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Ardit Mani ka dhënë dorëheqjen nga detyra e drejtorit sportiv të KF Shiroka, pas një viti e gjysmë punë në këtë pozicion. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Mani përmes një mesazhi publik, ku ka shpjeguar arsyet e vendimit dhe ka falënderuar të gjithë ata që e kanë shoqëruar gjatë këtij rrugëtimi.
Në deklaratën e tij, Mani thekson se ky nuk ishte një vendim që dëshironte ta merrte, por se rrethanat e kanë çuar drejt një zgjedhjeje të vështirë, të cilën ka vendosur ta përballojë me përgjegjësi dhe dinjitet. Gjatë periudhës së tij në klub, një nga arritjet që veçon është sezoni i parë i punës, kur KF Shiroka përfundoi kampionatin në vendin e tretë dhe siguroi pjesëmarrjen në fazën play-off, ku u eliminua përballë Sopotit.
Mani ka falënderuar bashkëpunëtorët, trajnerët, futbollistët dhe tifozët e Shirokës për mbështetjen dhe bashkëpunimin, duke nënvizuar se gjatë kësaj periudhe është përpjekur të japë maksimumin në shërbim të klubit.
Në mesazhin e tij të lamtumirës nga detyra, ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e korrektësisë, karakterit dhe respektit për fjalën e dhënë, duke i uruar KF Shirokës suksese dhe arritje në të ardhmen. Ardit Mani largohet kështu nga detyra e drejtorit sportiv, ndërsa në deklaratën e tij nuk bën të ditura hollësi të tjera lidhur me arsyet konkrete që e çuan drejt këtij vendimi.
Ja mesazhi i plotë e Ardit Manit:
Miq, Bashkepuntore, Sportist dhe familja Kf Shiroka!
Pas një viti e gjysmë punë, sakrifice dhe përkushtimi maksimal në shërbim të FC Shiroka, kam vendosur të jap dorëheqjen nga detyra e drejtorit sportiv të klubit.
Nuk ishte kjo dëshira ime dhe as rruga që do të doja të ndiqja, por ndonjëherë rrethanat të çojnë drejt vendimeve të vështira, të cilat duhet t’i pranosh me përgjegjësi dhe dinjitet.
Gjatë kësaj periudhe jam përpjekur të jap më të mirën time për klubin, duke punuar me pasion, sakrificë dhe vetëmohim, gjithmonë me bindjen se FC Shiroka meriton përkushtim, respekt dhe ambicie sportive.
Një nga arritjet që do të mbetet e veçantë në këtë rrugëtim është sezoni i parë i punës, kur FC Shiroka arriti vendin e tretë në kampionat dhe siguroi pjesëmarrjen në fazën play-off, ku u eliminua përballë Sopoti-t. Një rezultat që erdhi si fryt i punës, përkushtimit dhe sakrificave të të gjithë atyre që kontribuuan për ekipin.
Ky rrugëtim nuk ka qenë gjithmonë i lehtë. Ka pasur vështirësi, sakrifica dhe momente që kanë kërkuar durim, forcë dhe besim. Megjithatë, jam përpjekur të qëndroj i përkushtuar ndaj detyrës dhe të jap maksimumin tim, duke vendosur gjithmonë interesat e klubit në plan të parë.
Në futboll flasim për pikë, gola dhe objektiva, te cilat kerkohen dhe numërohen çdo javë, ndërsa meritat dhe shpërblimet luajnë në një kampionat pa datë përfundimi!
Dua të falënderoj sinqerisht të gjithë bashkëpunëtorët me të cilët kam ndarë këtë rrugëtim, të gjithë trajnerët me të cilët kam punuar dhe çdo person që ka kontribuar për klubin.
Një falënderim i veçantë për lojtarët, me të cilët kam ndarë sfida, emocione dhe objektiva të përbashkëta. Respekti im për ju është i veçantë, sepse e di se sa shumë sakrificë, përkushtim dhe karakter kërkon futbolli.
Mirënjohje edhe për tifozët e FC Shiroka, për mbështetjen, pasionin dhe dashurinë që kanë treguar për ngjyrat e klubit.
Largohem nga kjo detyrë me respekt për klubin dhe me ndërgjegjen e qetë se jam përpjekur të jap maksimumin tim. Për mua, ky nuk ishte thjesht një pozicion pune, por një përgjegjësi që e kam përjetuar me pasion dhe përkushtim.
Pozicionet janë të përkohshme, por karakteri, korrektësia dhe respekti për fjalën e dhënë janë ato që mbeten. Në futboll mund të mos fitosh çdo ndeshje, por duhet të ruash gjithmonë dinjitetin dhe parimet e tua.
FC Shirokës i uroj suksese dhe sa më shumë arritje në të ardhmen!
Me respekt,
Ardit Mani
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


