Merr fund aventura njëvjeçare e basketbollistit Klajdi Kiri me Vllazninë. 25 vjeçari që kishte ardhur verën e kaluar nga Amerika për të luajtur me fanellën kuqeblu, tashmë ka vendosur të bëjë një zgjedhje tjetër për vazhdimin e karrierës së tij.
Lojtari 2.08 metra i gjatë bëri paraqitje të mira me ekipin shkodran duke qenë një pikë e fortë e tij në sezonin që lamë pas dhe si rrjedhojë ai fitoi edhe të drejtën për të qenë pjesë e ekipit tonë kombëtar.
Burime pranë tij bëjnë të ditur për Gazeta “SHKODRA SPORT” se me shumë të ngjarë lojtari do të vazhdojë të luajë në Kosovë në sezonin e ri. Janë disa ekipe atje që duan të marrin shërbimet e tij por vetë Klajdi ende nuk e ka vendosur për destinacionin e tij të ardhshëm.
Një opsion tjetër duket se është rikthimi sërish në Amerikë, atje ku ka dhe familjen e tij, megjithatë qendra shtatëlarte për momentin ka dëshirë të vazhdojë të luajë në Europë, por deri tani qëndrimi tek Vllaznia nuk është më një opsion i mundshëm.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


