Trajneri malazez i ekipit të volejbollit të femrave të Vllaznisë Nebojsha Grabrz është prezantuar zyrtarisht para mediave nga ana e drejtorit të sportklub Vllaznia Mark Kroqi. Ky i fundit ka qenë vetë një volejbollist i njohur i Vllaznisë dhe i kombëtares shqiptare dhe kuptohet që “e ka merak” këtë sport dhe prandaj po kërkon ta mbështesë maksimalisht atë. Kuptohet që për të rritur cilësinë e punës ka rënë dakord me trajnerin malazez që ai për njëfarë periudhe të punojë pranë ekipit të femrave. “Unë e përgëzoj punën që ka bërë trajnerja Sadije Gogaj prej vitesh me këto vajza por kuptohet që duhet më shumë punë për të arritur nivele dhe më të larta. Dhe për këtë arsye, kemi rënë dakord me trajnerin Grabrz që ai të na ndihmojë në këtë aspekt me përvojën e tij”- ka thënë drejtori Kroqi.

Një rol të madh në ardhjen e këtij trajneri në Shkodër ka luajtur edhe Ardian Zaganjori, kordinator i klubit shkodran për marëdhëniet me jashtë. Ai ka bindur ish- lojtarin e njohur të Partizanit të Beogradit por edhe trajnerin e njohur në disa ekipe që të vinte e të punonte në Shqipëri. Vetë Grabrz në prononcimin e tij të parë si trajner i Vllaznisë, ka thënë: “Kam ardhur me shumë dëshirë në Shqipëri për të punuar tek ky ekip. Shoh që ka në përbërje të tij disa vajza të reja që kanë shumë dëshirë për të punuar dhe do të mundohemi të bëjmë më të mirën me ta. Unë kam ardhur për të rritur cilësinë e punës tek këto vajza dhe natyrisht që do të kemi pretendime më të mëdha se në sezonet e kaluara”. Për momentin, palët kanë rënë dakord që bashkëpunimi të jetë deri në dhjetor por po shihet mundësia që trajneri malazez të qëndrojë në Shkodër deri në fund të sezonit. Ndërkohë, trajnerja Sadije Gogaj do të vazhdojë edhe ajo punën me ekipin duke patur tashmë një ndihmë më të madhe në drejtimin e tij, atë të Nebojsha Grabrz.
Gjergj KOLA