Nga Maringlen ZHIVANI
Polizoi Arbëri ka mbetur një nga ish-futbollistët e preferuar të tifozëve të Vllaznisë. Ish-mbrojtësi, që me ekipin kuqeblu, mbante fanellën me numrin 13, dallonte në fushë për grintën e tij. Arbëri qëndroi një vit te Vllaznia, teksa e mbylli pasi kuqeblutë shpëtuan nga rënia nga Kategoria pas shumë vështirësish në atë sezon.
Aktualisht, Arbëri punon si trajner moshash në Berat, teksa “Shkodra Sport” realizoi një intervistë me “Polin”, siç atij i thërrasin shkurt. Arbëri tregoi se ka besim te trajneri aktual i Vllaznisë, Edi Martini. Për më tepër, më poshtë mund të lexoni intervistën e tij të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani.
-Arbëri, keni dhënë një kontribut të madh si futbollist në Shkodër para gjashtë vitesh, çfarë mund të na thoni për eksperiencën tuaj atëherë?
Ka qenë ndër eksperiencat më të veçanta që kam kaluar në karrierën sportive. Çfarë mund të thuash për Shkodrën, kur në atë qytet dhe në atë ekip, kam vetëm mbresa të bukura. Më kujtohet ndeshja Vllaznia-Tirana, e zhvilluar në Pukë, përfundoi 1-1. Do e mbaj mend golin e shënuar në minutën e 88’ dhe të nesërmen, kur kam dalë në qytet, jam pritur nga njerëzit me dashuri. Aty kuptova se sa shumë e dashurojnë futbollin në Shkodër.
-Cilat momente ju kanë mbetur në mendje nga Vllaznia?
Ne kishim një grup të ndërthurur me futbollistë me eksperiencë dhe lojtarë që vinin nga Akademia, siç ishin Krymi, Gurishta dhe të tjerë. Te këta djem shikoja dashuri për atë fanellë, ashtu siç e duan edhe tani. Kam shumë momente të bukura. E veçoj, siç e thashë edhe më lart, pas golit me Tiranën nuk do e harroj atë pritje që më kanë bërë tifozët dhe qytetarët e Shkodrës.
-Si e vlerësoni gjendjen e ekipit kuqeblu?
Ka pasur largime dhe tani është momenti më i nxehtë i merkatos. Nuk mund të them diçka specifike, pasi mbetet për t’u parë në vazhdimësi.
-A mendoni se mund të bëjnë paraqitje dinjitoze në Europë?
Dëshira ime është ta shikoj sa më lart Vllazninë në çdo kompeticion.
-Çfarë mund të sjellë trajneri Martini te Vllaznia?
Të flasësh për Martinin nuk është e nevojshme, sepse ka lënë shenjë të madhe, si futbollist, por edhe si trajner, duke fituar titullin me Teutën. Unë mendoj se Martini ka për të futur atë mentalitet ashtu siç ai e do Vllazninë vet, ta injektojë edhe te futbollistët e tjerë.
-Ku e shikoni Vllazninë në nevojë për t’u përforcuar?
Nga ajo ç’ka kam parë, Vllaznia boshtin e ekipit e ka. Me disa afrime në mbrojtje dhe mesfushë, mendoj se është e kompletuar.
-A iu kujton ndonjëri prej futbollistëve veten te Vllaznia?
Çdo futbollist ka veçoritë e veta, por mund të them se Gurishta më kujton veten.
-Vllaznia ka disa futbollistë me moshë të re, çfarë duhet pritur nga ata?
Mund të them që te Vllaznia gjithmonë dhe në çdo kohë, shpërthejnë talente nga Akademia. Kot nuk i thonë “Djepi i Futbollit Shqiptar”. Nga këta djem të rinj të talentuar duhet pritur shumë, gjithmonë pa i vendosur nën presion.
-Egnatia, Dinamo dhe Partizani ishin poashtu në “Final Four”, si ju duken në krahasim me Vllazninë?
Të them të drejtën, kam mbetur i zhgënjyer nga mënyra sesi ndeshjen me Egnatian, u pa një Vllazni nën ritmin e saj. Nëse Vllaznia do kishte atë grintë që tregoi me Dinamon, e them me bindje se titulli do ishte i saj, por ajo që iku, nuk kthehet më mbrapa.
-Cila është lidhja me tifozët e Vllaznisë, keni ruajtur dhe mbajtur kontakte?
Unë kam akoma kontakte me tifozë të Vllaznisë dhe gëzoj rrespekt te ata, ashtu siç ata kanë mirënjohjen time dhe rrespektin më të madh. Uroj që ky vit të jetë i tyre, pasi mezi e presin titullin.
-E shikoni veten pranë Vllaznisë në të ardhmen, një ditë ndoshta ku i dihet?
Kush nuk do dëshironte të punonte te Vllaznia. Mbase, rrugët na bashkohen një ditë.