I ftuar në një nga emisionet e podcast të Telesport, së fundmi ka qenë ish-kapiteni i Tiranës, Devi Muka. Ish-mesfushori në një intervistë të gjatë për karrierën e tij u ndal edhe tek rivaliteti i Superiores në ato vite. Vlonjati po ashtu thekson se në atë periudhë futbollistët e kampionatit tonë sidomos tek Vllaznia dhe Tirana paguheshin me shifra goxha të majme.
Ndër të tjera Muka tha: “Nëqoftëse ka një president i cili theu tregun në Shqipëri, ai ishte i ndjeri Myftar Çela. Ish-president i Vllaznisë i cili dërgoi në majë pagat e lojtarëve. Në atë kohë në Shqipëri futbollistët paguheshin 30-40 mijë dollarë në vit. Por ishte Çela i cili bëri fillimisht që futbollistët të paguheshin me nga 100-120 mijë dollarë në vit.
Atë e rivalizoi tek kjo pjesë edhe presidenti i Tiranës, El Sayed. I cili po ashtu e rriti shumë nivelin e pagesave në kampionatin tonë. Dhe mund të them se ishin këta dy presidentë që sollën paga marramendëse. Mund të them se futbollistët shqiptarë që në atë periudhë luanin në Superligën greke nuk i fitonin aq para.
Personalisht kam pasur një kontratë 180 mijë dollarëshe tek Tirana. Ku po ashtu në 2 sezone, Indrit Fortuzi është paguar me 300 mijë dollarë. Gjithashtu edhe Vioresin Sinani së bashku me ne ka qenë një ndër lojtarët më të paguar në Superligë.
Për kohën u investua shumë nga disa presidentë ku siç e thashë ishte Çela i Vllaznisë, i ndjeri Laze i Elbasanit apo edhe Bizhdili i Besës. Këta njerëz rritën nivelin e futbollit dhe besoj se në ato vite, kampionati shqiptar ka qenë shumë i fortë dhe i bukur për tu parë”.
Endri ÇINARI