Ishte një ndër lojtarët që spikati me Vllazninë para katër sezonesh, duke u shndërruar edhe një nga më të mirët e kampionatit në rolin e tij.

Fjala është për Aleksander Isaevskin, mbrojtësin e majtë nga Maqedonia e Veriut, që në sezonin 2020-2021 madje fitoi edhe Kupën e Shqipërisë me kuqeblutë. Nga SHBA-ja, ku jeton tashmë, në një intervistë për “Panorama Sport”, 29-vjeçari flet për shkodranët. Ai ndalet edhe tek rikthimi i Brdariç, ku shpreson që ky të jetë sezoni i duhur për trajnerin gjerman dhe shkodranët të jenë kampionë të vendit.

Isaveski, ku ndodheni dhe me çfarë po merreni?

Faleminderit për intervistën fillimisht. Aktualisht jam në SHBA, ku nuk ndahem nga futbolli. Aktivizohem në ligat rajonale këtu dhe bëj pjesë në ekipin Duka FC. Një skuadër dhe një klub që drejtohet nga shqiptarë, prandaj jam afër zhvillimeve në Shqipëri duke qenë se shpesh na takon të flasim për futbollin në rajonin e Ballkanit.

Sa i keni parë dhe si ju duken kuqeblutë këtë sezon?

Kam pasur mundësi të ndjek disa ndeshje kryesore si ajo kundër Tiranës dhe Egnatias. Skuadra më është dukur mirë, si në aspektin fizik edhe në atë të lojës. Sërish Gurishta dhe Krymi ngelin pika të forta të ekipit dhe shpresoj të vijojnë vetëm me fitore në ndeshjet e radhës që do të kenë në kampionat.