Jurgen Klopp ka kritikuar ashpër formatin e zgjeruar të Kupës së Botës për Klube, duke e cilësuar atë si ‘idenë më të keqe që është zbatuar ndonjëherë në futboll’, për shkak të ndikimit që ka në kalendarin e ngjeshur futbollistik dhe kohën e kufizuar për zhvillimin e lojtarëve.
Ish-trajneri i Liverpoolit, aktualisht në rolin e kreut të futbollit global në grupin Red Bull ku përfshihet edhe RB Salzburg, që mori pjesë në këtë edicion të turneut por u eliminua në fazën e grupeve, e përmendi këtë turne gjatë një interviste për median gjermane Welt, kur u pyet lidhur me zhvillimin e lojtarëve.
Ai theksoi ngarkesën e jashtëzakonshme me ndeshje dhe rrezikun në rritje të lëndimeve si pasoja direkte e këtij formati.
“Në fund të fundit, gjithçka ka të bëjë me lojën dhe jo me gjithçka që e rrethon atë dhe për këtë arsye, Kupa e Botës për Klube është ideja më e keqe që është zbatuar ndonjëherë në futboll”.

“Këto vendime po merren nga njerëz që ose nuk kanë pasur kurrë lidhje me përditshmërinë e futbollit, ose nuk janë më pjesë aktive e saj”.
Ai përmendi gjithashtu edhe kalendarin ndërkombëtar të stërngarkuar.
“Vitin e kaluar kishim Copa America dhe Kampionatin Evropian, këtë vit Kupa e Botës për Klube, dhe vitin tjetër Kupa e Botës, nuk ka aspak kohë reale për rikuperim, as fizikisht e as mendërisht, për lojtarët pjesëmarrës”, ka thënë Klopp.
“Një lojtar i NBA që gjithashtu ka paga të mëdha, ka katër muaj pushim çdo vit. Kaq pushim ka pasur në të gjithë karrierën e tij edhe Virgil Van Dijk”.

Turneu i Kupës së Botës për Klube filloi më 14 qershor dhe do të përfundojë më 13 korrik.
Sezoni i ri në Ligën Premier nis më 15 gusht, ndërsa Serie A më 23 gusht. La Liga dhe Ligue 1 nisin më 17 gusht, kurse Bundesliga më 22 gusht, çka nënkupton mungesë të theksuar kohe për pushim mes turneve.
Përpara nisjes së turneut, organizata ndërkombëtare e sindikatave të futbollistëve, FIFPro, kërkoi vendosjen e një pauze të detyrueshme katërjavore në fund të sezonit për të mbrojtur lojtarët nga mbingarkesa dhe për të ulur rrezikun e dëmtimeve në nivelet elitare.
Po ashtu, janë ngritur shqetësime për kushtet e temperaturave të larta në të cilat po zhvillohen ndeshjet e këtij turneu./Telegrafi/