Pas emërimit të Damien Komolit si drejtor i përgjithshëm, Juventusi vijon ende të mos ketë një drejtor sportiv të konfirmuar, ndërkohë që kalendari i merkatos po ngushtohet ndjeshëm. Klubi bardhezi rrezikon të nisë sezonin 2025- 2026 dhe Kampionatin Botëror për Klube pa një sulmues titullar, një situatë që konsiderohet shumë shqetësuese nga drejtuesit.
Në pritje të zgjidhjeve për Dusahn Vlahoviçin dhe Arkadiuzh Milik, të cilët janë ende në pritje të ofertave konkrete, Juventusi po shqyrton me kujdes edhe emra të tjerë. Në listë është rikthyer me forcë emri i Randal Kolo Muani, ndërkohë që prioritet mbetet nënshkrimi i një sulmuesi me potencial të shënojë të paktën 20 gola në sezon. Megjithatë, situata që të çon te Randal Kolo Muani nuk është në kushtet më të mira për “Zonjën e Vjetër”, që, megjithatë, po shikon për një tjetër opsion që vjen po nga Parisi dhe pritshmëritë për të janë gjithashtu shumë të larta.
RAMOS- Pas largimit të Kristiano Xhuntolit, ideja e transferimit të Viktor Osimhen ka humbur terren, ndërsa janë ende në lojë emra si Viktor Gyokeres dhe Mateo Retegi. Por në orët e fundit ka dalë në skenë një emër i ri që po fiton peshë në negociata, Gonçalo Ramos, sulmuesi portugez i PSG-së, fitues i Ligës së Kampioneve. Ramos ka luajtur pak minuta në finalen e Mynihut, por sezoni i tij ka qenë produktiv me 18 gola në të gjitha garat, edhe pse ishte titullar vetëm në 16 ndeshje.
Ai paraqitet si një mundësi e mirë për Juventusin, pasi është më i lirë se Kolo Muani dhe në përputhje me projektin teknik të klubit. Vlera e tij llogaritet rreth 50 milionë euro, shumë më e ulët se 70 milionët që kërkon Sporting për Gyokeres. Teknikisht, Ramos është një sulmues i kompletuar, di të shënojë me kokë, është i përfshirë në lojë dhe i aftë të bashkëpunojë në fazën e ndërtimit të sulmit, duke ofruar një zgjidhje fleksibël për skemën e Juventusit.
ALTERNATIVAT Ndërkohë, pista për Gyokeres mbetet e vështirë për shkak të konkurrencës së fortë ndërkombëtare, ndërsa Retegi i Atalantës është në radar, me një vlerë të përafërt 40-45 milionë euro. Po ashtu, Juventusi interesohet edhe për Lukman, i cili ka tipare të ndryshme, më pak si finalizues. Emra si Hojlund janë larg për shkak të çmimit të lartë, Xhonathan Dejvid është më pranë Napolit, ndërsa Osimhen mbetet i pamundur për Juventusin për shkak të klauzolës prej 75 milionësh dhe qëndrimit të Napolit ndaj rivalëve. Lorenzo Luka mbetet një opsion për rolin e zëvendësuesit, por do të shqyrtohet vetëm pasi struktura e klubit të jetë plotësisht e organizuar.