HomeFUTBOLLI I FEMRAVEKapitenia e Vllaznisë: Kush tjetër veç nesh i sjell në Shqipëri emra...

Kapitenia e Vllaznisë: Kush tjetër veç nesh i sjell në Shqipëri emra si Real, PSG, Chelsea, Juventus dhe tashmë Inter?

Nga Endri ÇINARI

Vllaznia e femrave vijon me sukseset në Europë, ku tashmë shkodranet e drejtuara nga Nikolin Leka do jenë pjesë e turit të dytë të Europa Cup. Dhe përballë do kenë një kundërshtar shumë të fortë siç është Interi. Me vajzat zikaltër që fillimisht do presin në Milano ato shkodrane në datën 7 tetor, për të kthyer më pas vizitën pas një jave në “Loro Boriçi”.

Kështu Interi i bashkohet ekipeve prestigjoze si PSG, Real Madrid dhe Chelsea që do jenë përballë Vllaznisë së femrave në Europë. Një tjetër takim historik për kuqeblutë dhe pikërisht para këtyre sfidave ka reaguar në rrjetet sociale kapitenia e ekipit shkodran, Megi Doçi. Futbollistja më e mirë e historisë në vendin tonë ka pasur një “kritikë” përsa i përket tifozëve, të cilët sipas saj nuk kanë qenë në numrin e duhur në mbështetje të vajzave.

Pavarësisht arritjeve historike që kanë bërë vit pas viti Vllaznia e femrave. Kështu në një postim në Instagram, Doçi shkruan: “Kush tjetër përveç Vllaznisë di të përcjellë emocionet e kupave të Europës? Kush tjetër përveç Vllaznisë së femrave i sjell klubet më të mëdha të botës në Shkodër e Shqipëri? Duke filluar nga Real Madrid, PSG, Chelsea, Juventus dhe tashmë Inter.

Të dashur tifozë, qytetarë shkodranë reflektoni… Ju duhet të jeni krenarë për ekipin kampion që keni dhe jo të na braktisni siç keni bërë në dy ndeshjet e fundit. Duhet të kuptoni ku nivelet që luajmë janë të një stadi tjetër investimi.

Dua të falenderoj me zemër ata që kanë qenë të pranishëm në stadium. Ne kemi nevojë për mbështetjen tuaj dhe më besoni se askush më shumë se ne nuk e do fitoren dhe suksesin që sakrifikojmë çdo ditë të jetës sonë. Ju lutem lëreni monotoninë, kafenetë dhe pedonalen për 2 orë që luan ekipi juaj i zemrës, Vllaznia. Me respekt, Megi Doçi!”

Me këto fjalë e mbyll edhe sulmuesja rekordmene në Botë për numrin e golave të shënuar. Ku kërkon nga tifozët mbështetjen ndaj një ekipi që ka bërë këdo krenar në Shkodër dhe jo vetëm. Duke arritur rezultate që më parë nuk janë parë as në futbollin e meshkujve në vendin tonë.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments