Edhe pse përballë kanë kampionët në fuqi të Superiores dhe një nga pretendentët e këtij edicioni, Elbasani shkon në Rrogozhinë për të marrë tri pikët.

Verdheblutë duan t’i japin fund serisë prej shtatë takimesh radhazi pa fitore. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Roberto Bordin vlerëson cilësitë e kundërshtarit të sotëm dhe pohon se një barazim nuk do ta kënaqte. Italiani nuk do që të “qahet” nga dëmtimet, ndërsa beson se Elbasani e ka treguar deri tani forcën e vet, duke pasur parasysh se është një ekip i sapongjitur në elitë. Për mungesën e golit trajneri Bordin pohon se lojtarët duhet të jenë më “të këqij” para portës, sepse rastet nuk kanë munguar.

Mister, luani me kampionët në fuqi të Superiores, Egnatian. Çfarë prisni nga kjo ndeshje?

Është një skuadër e vështirë për t’u përballuar, një skuadër që luan futboll që nga portieri i vet. Egnatia përpiqet të ndërtojë dhe të shfrytëzojë çdo aksion të mundshëm për të shkuar te goli. Është një skuadër shumë e fortë edhe për shkak të cilësive individuale të lojtarëve që ka.

Një tjetër barazim do t’u kënaqte në këtë ndeshje, duke ditur kundërshtarin që keni përballë?

Ne luajmë gjithnjë për të fituar, siç e bën çdo skuadër që hyn në fushë mendoj. E dimë që është ndeshje e fortë, por ne hyjmë në fushë për të bërë lojën tonë dhe për të marrë fitoren, që nuk vjen prej shumë kohësh.

Si është situata me dëmtimet, cili lojtar ju ka munguar më shumë në këtë periudhë?

Kam pasur fatin të kem një grup të rëndësishëm lojtarësh, që kanë zëvendësuar ata të dëmtuarit. Duhet të shohim ata që janë dhe jo ata që nuk janë. Ndonjë dëmtim i tepërt ka qenë, por ia kemi dalë të bëjmë ndeshje të mira, sipas meje. Përpos ndonjërës natyrisht, por kush ka hyrë apo ka luajtur, ka bërë gjithnjë maksimumin.

Mendoni se ka ardhur koha që Elbasani të tregojë forcën e vërtetë?

Mendoj se e kemi treguar forcën tonë. E kam thënë, ne jemi një skuadër e sapongjitur në elitë dhe jemi vetëm tri pikë nga vendi i katërt. Kemi bërë ndonjë gabim, si për shembull kundër Dinamos, apo ndonjë gjysmë pjese jo të mirë në ndonjë ndeshje tjetër. Por, në rastet e tjera kemi bërë ndeshje të mira, kemi pasur shumë raste për gol, shumë në fakt dhe për fat të keq jo të finalizuara për pasaktësinë tonë. Kemi luajtur kundër skuadrave shumë të rëndësishme, që kanë shpenzuar më shumë para sesa ne, ndaj jam i kënaqur. Mund të kishim ndonjë pikë më shumë dhe mendoj se e meritonim, por tani duhet të punojmë për të rigjetur fitoren.

Çfarë duhet të bëjë ndryshe skuadra në Rrogozhinë për t’u rikthyer te fitorja?

Ne nuk duhet të pushojmë së punuari, siç kemi bërë deri më tani. Sigurisht, na duhet të bëjmë gol kur krijojmë një aksion goli. E përsëris, në gjithë këto ndeshje statistikat flasin qartë, kemi pasur vërtet shumë situata nga kroset për të shënuar. Duhet të jemi më precizë, më cinikë dhe më “të këqij” përballë portës kundërshtare.