Vesel Limaj e konsideron të pafatë Tiranën në derbet e fundit me Partizanin.
Ish-mesfushori i bardhebluve dhe një nga ata që ka pasur fatin të vendosë në derbin me të kuqtë, kthehet të flasë për sfidën Tirana-Partizani. Mendon se bardheblutë do të kenë problem faktin që skuadra është e re dhe kjo do të ndikojë edhe në objektin që ka Tirana. Po kështu, futbollisti pranoi ekskluzivisht për “Panorama Sport” se mungesa e gjatë e fitores i bllokon bardheblutë, ndërsa veçon titullin kampion të fituar në Elbasan, pasi mundën Partizanin. Lojtari i Malishevës foli edhe për kampionatin shqiptar e atë kosovar…
Vesel, si po shkon aventura e re në kampionatin kosovar me skuadrën e Malishevës?
Me Malishevën deri tani po na ecën shumë mirë. Jemi në vendin e tretë dhe skuadrën e kemi të fortë. Shpresoj që këtë ritëm ta mbajmë edhe në vazhdim. Qëllimi ynë është arritja në Europë. Besoj se do t’ia dalim, por pse jo për të luajtur për titullin kampion.
Të dielën është derbi me Partizanin. Ju e keni luajtur këtë sfidë, si e parashikoni këtë ndeshje?
Si çdo derbi, do të jetë një sfidë e luftuar. Favoritë në këtë sfidë nuk ka edhe pse Partizani për momentin është në vendin e parë. Derbi është derbi dhe nuk varet nga distanca që ke në renditje.
Me atë që ke parë në fushën e lojës, mendon se e arrin Tirana “Final 4”?
Unë besoj se Tirana nuk është aty ku duhet. Ekipin e ka ndërtuar nga fillimi dhe kësaj skuadre i duhet kohë. Fatkeqësisht, Tiranën këtë vit nuk e shoh në “Final 4”.