Prej nëntë vitesh shkruajmë e flasim për probleme tek Vllaznia. Pavarësisht dëshirës për të bërë gjëra të mira,
skuadra më e vjetër e futbollit shqiptar, më shumë ka vuajtur sesa ka ndjerë ndonjë gëzim gjatë kësaj periudhe. Kalimi i menaxhimit të klubit nga privati tek Bashkia, ka sjellë problemet e veta dhe kjo është reflektuar edhe në rezultatet e tij.

Ajo që duhet thënë është se gjithçka për këtë shndërrim nisi pikërisht më datë 21 korrik 2011 kur luhej një ndeshje të cilën po e risjellim sot me skedën, me formacionet, me videon dhe fotot e saj.

Bëhet fjalë për sfidën e kthimit të turit të dytë të Europa League, në mes zvicerianëve të Thunit dhe Vllaznisë. E luajtur në “Arena Thun”, në prani të 7193 tifozëve zvicerianë por edhe të disa shqiptarëve, ekipit shkodran do “t’i hapej gropa” vetëm në 4 minutat e fundit të ndeshjes.

Ndeshja e parë e luajtur në Shkodër ishte mbyllur në barazim 0-0. Në të kthimit, Xhevahir Sukaj do të kalonte
Vllazninë në avantazh pas një krosi të Vajushit nga e majta dhe ai goditi saktë duke e dërguar topin në rrjetë. Një
gol që entuziasmoi të gjithë.

Minutat kalonin dhe me këtë rezultat, Vllaznia e shihte veten në turin e tretë të Europa League, aty ku do të ndeshej

me italianët e Palermos. Por nuk ka qenë e thënë të ndodhte kështu. Në minutën e 89-të, kosovari i Thun Milaim Rama do të barazonte shifrat, ndonëse sipas pamjeve filmike, ai duket se është në pozicion shumë të dyshimtë jashtë loje.

Megjithatë edhe me 1-1, Vllaznia do të kualifikohej por sërish nuk do të ndodhte kështu. Në minutën e 93-të, vendasit do të shënonin edhe golin e dytë ndonëse duket se kemi një faull në zonë në dëm të Rajoviç por arbitri nuk është i këtij mendimi dhe si rrjedhojë aksioni vazhdon duke përfunduar me topin në rrjetën e kuqebluve.

FC Thun (SUI) – KS Vllaznia (ALB) 2:1 (0:1)
Stadiumi: Arena Thun (SUI)
Spektatorë: 7 193
Arbitër: Joao Francisco Lopes Ferreira (POR)
Goals: 14. Sukaj 0:1; 89. Rama 1:1; 93. Lüthi 2:1

Team FC Thun: Da Costa; Reinmann (61. Lüthi), Matic, Schindelholz, Schneider; Bättig, Demiri: Schneuwly (27.Andrist), Lezcano, Wittwer (Rama); Lustrinelli.

Team KS Vllaznia: Vujadinovic; Smajlaj, Popovic, Alechenëu, Belisha; Sukaj (88. Sinani), Vajushi (75. Hasani), Sykaj,
Rajovic; Nallbani, Gocaj.

Kaq ka mjaftuar që në kampin shkodran të ketë një shok të vërtetë psikologjik dhe jo vetëm. Me t’u kthyer në Shkodër, presidenti Valter Fushaj duke mos gjetur gjuhën e përbashkët me kryebashkiakun Luka për vazhdimësinë e financimit të klubit jep dorëheqjen nga drejtimi i klubit.

Si rrjedhojë, Bashkia Shkodër e gjendur e papërgatitur nga një gjë e tillë, përmes një vendimi të Këshillit Bashkiak vendos ta kthejë atë në Shoqëri aksionere me 100 për qind kapital të Bashkisë. Një formulë që tashmë është vërtetuar se nuk ka funksionuar prandaj dhe data 21 korrik e vitit 2011 konsiderohet si momenti kur nisi rrëshqitja e Vllaznisë.

Më poshtë keni edhe videon përmbledhëse të kësaj ndeshje: