Vllaznia do të luajë të hënën sfidën e parë të kampionatit kundër Partizanit, takim që do të nisë në orën 20:00 në stadiumin “Arena e Demave” në kryeqytet. Në prag të fillimit të kampionatit, trajneri Thomas Brdariç foli për mediat, ku tha se ekipi i tij do të luftojë për të marrë tre pikët ndaj Partizanit.
“Mezi po presim ta fillojmë sfidën ndaj Partizanit. Jemi përgatitur mirë, por kemi disa mungesa. Megjithatë, edhe Partizani ka mungesa dhe nuk dua të ankohem.
Jam i lumtur që kam këto futbollistë të gatshëm dhe me këto futbollistë, do luftojmë ndaj Partizanit. Miqësoret kanë qenë për të përgatitur sezonin. Do luftojmë ndaj Partizanit për tre pikë.
Të gjithë e kanë të qartë këtë. Atmosfera është shumë e mirë. Me kushtet që kemi, do bëjmë më të mirën dhe jam shumë i lumtur se si kanë shkuar përgatitjet dhe faza përgatitore.
Përsëri, kemi gjëra për t’u rritur dhe për t’u përmirësuar, por shpresoj që ndaj Partizanit ta nisim mbarë dhe të marrim tre pikët”,-tha trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç.
Maringlen ZHIVANI