Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, u shfaq tepër i zhgënjyer për performancën e skuadrës së tij në duelin ndaj Vllaznisë, që u fitua nga shkodranët me rezultatin 3-1.
“Ishte një ditë jo e mirë e ekipit. Ishim vonë në presing si skuadër, plus topat e dytë. Gjë që Shkodra përfitoi.
Nuk besoj që janë të ngopur, ka kurba. Kjo është një nga ndeshjet më të dobët në drejtimin tim. Do të shikojmë ku kemi pasur mangësi.
Kampionati është maratonë. Sot ishte një ditë shumë e keqe e ekipit. Nuk u bë asgjë nga ato që bëmë në stërvitje. Vllaznia ishte më agresive, që të fitosh duhet të jesh dyfish agresiv, kur bëhet fjalë për të fituar titullin.
Kur është gjithë ekipi keq, pesha bie mbi trajnerin, ka pasur ngarkesë më tepër seç duhet. Ngarkesë fizike nuk ka. Sot kishim rastet tona, por pa i konkretizuar.
Manovrat kam 2 vite që i punoj. I zgjedh lojtarët me karakteristikat e duhura. Ka lojtarë që e prekin topin 2-3 herë.
Përtej pjesës fizike është përgjegjësia e ime që i kam mbajtur në fushë lojtarët e rinj. I kemi marrë për të luajtur. Ndeshjet e para, duke parë formulën e kampionatit të jep mundësi për të bërë hapa fals, për t’i sjellë lojtarët në formë.
Jam i kënaqur me gjithë lojtarët. Bakajoko dhe Kasa janë jashtë, edhe mbrojtësi Frenk gjithashtu që është me kombëtaren. 3 mungesa të rëndësishme. Gjithë ideja është t’i sjellim lojtarët afër lojës.
Është shumë shpejt për titullin. Edhe vjet Vllaznia ka konkurruar. Është konkurrent, unë jam i fokusuar tek ekipi im”, u shpreh Tetova për “Super Gol” në RTSH.