Mesfushori Klinti Qato ishte një nga më të mirët në fitoren e djeshme të Vllaznisë ndaj Skënderbeut, protagonist me nivelin e lojës dhe me një asist. Qato ka folur për “Panorama Sport” pas ndeshjes, duke theksuar se Vllaznia luan gjithmonë për fitore dhe do të përpiqet ta ruajë kreun.

“Jemi të gëzuar për këtë fitore dhe patjetër edhe për paraqitjen në fushë. Them se zhvilluam një ndeshje shumë të mirë dhe uroj të vijojmë kështu. Vllaznia luan gjithmonë për gjëra të mëdha dhe sigurisht për kreun e tabelës. Ky sukses na jep motivim plus të krijojmë vazhdimësi, pasi kjo është një skuadër cilësore dhe që premton për shumë më shumë edhe në ndeshjet e radhës.

Performanca ime? Ju falënderoj për vlerësimin, por unë jam aty që t’i shërbej ekipit. Me asistent e lojën time, dhe pse jo edhe me gola. I falënderoj shumë edhe tifozët e Vllaznisë për mbështetjen që më kanë dhënë, këtu kam gjetur një ambient të shkëlqyer, shumë të ngrohtë.

Gol si në fazën e parë kundër Egnatias? Uroj që po, por e rëndësishme është që të fitojë ekipi dhe të jemi në vendin e parë”, tha mes të tjerash për gazetën mesfushori i kuqebluve.