Në sezonet e fundit, Kastrioti ka humbur shumë nga shkëlqimi i tij, gjë e cila u pa edhe në përfundim të edicionit 2024- 2025, ku krutanët e arritën mbijetesën në Kategorinë e Parë me ndeshje shtesë. Goli i Edmond Hoxhës në finalet e “play out”-it, ndaj Luzi 2008 bëri që Kastrioti të jetë pjesë e Kategorisë së Parë edhe për sezonin 2025-2026.

Ashtu si pjesa dërrmuese e skuadrave të kësaj kategorie, edhe krutanët vijojnë pushimet, që askush nuk e di se deri kur do të zgjasin. Për momentin, Kastrioti ekziston si emër vetëm në letër, pasi askush nuk e di të ardhmen te krutanët.

Që pas mbylljes së sezonit të fundit, u përfol për një “eksod” masiv nga radhët e krutanëve. Madje, edhe trajneri Klevis Hima, pas suksesit me Luzin, pohoi se misioni i tij me Kastriotin mbaroi. Shpresohet që për këtë edicion krutanët të mos ndjekin rrugën e vitit të shkuar, ku ekipi u grumbullua vetëm pak ditë para fillimit të kampionatit, duke mos zhvilluar fazë të plotë përgatitore.

Gjithsesi, starti nuk qe i keq për Kastriotin, por në pjesën e dytë të sezonit ekipi nisi rënien e lirë, që fatmirësisht e keqja u ndalu në finalen e “play out”-it ndaj Luzi 2008. Kështu, Kastrioti i ri ka nevojë për formatim total si skuadër.