Pas dy miqësoreve me Maqedoninë e Veriut, Kombëtarja shqiptare U-15 zyrtarizon dy ndeshje të tjera miqësore, që do të luhen në muajin shtator ndaj Malit të Zi U-15.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se dy federatat përkatëse kanë rënë dakord që këto dy takime miqësore të zhvillohen në datat 24 dhe 26 shtator. Ndeshja e parë do të luhet në Podgoricë, ndërsa sfida e dytë në Shkodër në stadiumin “Reshit Rusi”.

Kombëtarja shqiptare 15 do të nisë grumbullimin më 21 shtator në kuadër të dy ndeshjeve miqësore ndaj Malit të Zi, ndërsa lista e lojtarëve të grumbulluar do të bëhet me dije në vijim nga trajneri Armand Dama.

Pak ditë më parë, Shqipëria U-15 luajti dy miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut. Takimi i parë u mbyll në barazim 1-1, ndërsa në sfidën e dytë kuqezinjtë fituan me rezultatin 2-0.

Këto dy teste miqësore janë sërish një mundësi shumë e mirë për trajnerin Armand Dama dhe stafin teknik të Kombëtares U-15 për të testuar e vëzhguar nga afër lojtarët e grumbulluar.