Në fillim të kësaj jave, Barcelona më në fund arriti të siguronte regjistrimin e Dani Olmos, i cili ishte detyruar të humbiste dy ndeshjet hapëse të sezonit pasi ai nuk ishte ende i nënshkruar në La Liga për shkak të problemeve financiare të dokumentuara mirë të klubit katalanas.
Barcelona “përfitoi” nga pushimi dy-mujor i Andreas Christensen nga lëndimi për të regjistruar Olmon, me pagat e danezit të liruara për të lejuar fituesin e Euro 2024 të mund të luajë.
Megjithatë, për shkak të kësaj, Olmo është regjistruar vetëm deri në fund të vitit, gjë që u konfirmua të premten nga Javier Gomez, Drejtori i Përgjithshëm i Korporatës së La Liga.
“Dani Olmo është i regjistruar deri më 31 dhjetor. Nëse Barcelona nuk arrin të krijojë kapacitete regjistrimi, më 1 janar ai do të çregjistrohet”, ka thënë fillimisht Gomez.
Gomez foli gjithashtu për përpjekjet e Barcelonës për t’u rikthyer në rregullin 1:1 të La Ligës, gjë që ata nuk arritën ta bëjnë gjatë afatit kalimtar të verës.
“Të dhënat tregojnë se Barcelona është në rrugën e duhur për t’u rikthyer në rregullin 1:1. Kur llogaritë të publikohen dhe të jenë zyrtare, do të jetë e mundur të shihet”, përfundoi ai. /Telegrafi/