Vllaznia dhe Teuta u përballën dy ditë më parë në ndeshjen e rradhës për kampionsat teksa zhvilluan një lojë të qetë dhe në fund, ndanë nga një pikë secila. Por historitë e përballjeve në mes këtyre dy skuadrave nuk kanë qenë gjithmonë të tilla.

Duke shfletuar arkivin e “Shkodra Sport” print, na doli përpara kronika e një ndeshje shumë të tensionuar që besoj se shumë tifozë e mbajnë mend edhe sot e kësaj dite, ndonëse kanë kaluar plot 24 vjet prej saj.

E kemi fjalën për ndeshjen e datës 2 nëntor 1997 në Durrës e cila u fitua nga Teuta me rezultatin 2-1, por ajo ndeshje pati brenda shumë gjëra, madje edhe dhu.në dhe rrahje masive në mes dy tifozërive.

Një histori aspak e këndshme, por ja që ka ndodhur. Vllaznia luante në atë ndeshje me këtë formacion: Grima, Zmijani, Lici, Prençi, Noga, Dervishi, Osja, Xhahysa, Sinani, Cungu dhe Shllaku e trajner ishte Hysen Dedja.

Teuta kaloi e para në avantazh me anë të Bespallës dhe më pas barazoi Luan Zmijani me 11-metërsh në minutën e 45-të. Bespalla do të shënonte edhe në minutën e 75-të golin e dytë dhe të fitores për këtë ndeshje, por në fakt, ajo në pjesën e dytë nuk pati futboll.

Një sherr i madh lindi në tribunat e stadiumit “Niko Dovana” në mes dy tifozërive, teksa të pranishëm ishin edhe rreth 1 mijë shkodranë. Futbollisti i Teutës Begeja bëri një gjest të shëmtuar ndaj tifozëve të Vllaznisë që krijoi kaos. Jo më kot, ky lojtar për disa vite nuk ka udhëtuar drejt Shkodrës sepse kishte marrë paralajmërime prej tyre për hakmarrje.

Në atë histori të përplasjes në mes dy tifozërive, pati edhe ndërhyrje të policisë së Durrësit e cila u soll aspak mirë ndaj shkodranëve dhe si rrjedhojë ka patur edhe prej atyre që janë dëmtuar fizikisht nga kjo përplasje. Një ngjarje e shëmtuar që kurrsesi nuk duhet përsëritur më./SHKODRA-SPORT.COM/