Futbolli i femrave në vendin tonë shpeshherë merr pak vëmendje dhe kjo bën që në fushat ku luhen ndeshjet e tyre, të ndodhin situata nga më të çuditshmet. Trajneri i skuadrës së femrave të Murlanit, Arben Permeza, ka denoncuar një ngjarje që ka ndodhur në takimin e kësaj jave ndaj Tiranës.

Në një postim në Facebook, ai ka treguar një video ku shfaqen momentet e ndërprerjes së ndeshjes që skuadra e tij humbi me shifrat 4-2 ndaj Tiranës.

“Në mes të Tiranës…min.90 Tirana – Murlani… rezultati i barabartë 2-2… Me vendim të gjyqtares kryesore anulohet goli i shënuar nga Tirana… mbas protestave të stafit dhe personave civil që hynë në fushë arbitria anulon vendimin e saj… pa fjale…”, ishte postimi i Permezës.

Skuadra e Murlanit në shenjë proteste nuk lëvizi pas këtij vendimi dhe Tirana shënoi edhe golin e katërt të sfidës. Padyshim qe kjo eshte diçka aspak normale, por ja qe ndodh ne futbollin shqiptar.