Dikur luhej për titull kampion, ndërsa kjo e kësaj fundjavë luhet thjeshtë për prestigj. Vllaznia pret në “Reshit Rusi” Dinamon, në një duel që sheh të zbresin në fushë plot 27 tituj kampion.

Vllaznia, klubi më i vjetër i futbollit në vend, që pak javë më parë festoi një shekull jetë, udhëheq me 9 tituj “kampion”, si dhe 6 Kupa dhe 2 Superkupa të Shqipërisë të fituara, pa llogaritur këtu edhe 11 herë që është shpallur “nënkampione”, apo 8 finalet e humbura të Kupës dhe dy të Superkupës.

Nga ana tjetër, është klubi i 3-të i kryeqytetit, tanimë 68-vjeçar, por që mburret me 18 titujt “kampion”, ndërsa 9 herë të tjera është shpallur “nënkampion”, 13 Kupa të Shqipërisë, përveç 6 finaleve të humbura, por edhe dy Superkupa të Shqipërisë, ku ka dështuar në 4 prova të tjera.

Me pak fjalë, nëse Kampionati Kombëtar i Futbollit ka sivjet 80-vjetorin e tij, Vllaznia dhe Dinamo kanë fituar së bashku 27 tituj, apo thënë ndryshe, plot 34 % të totalit, ndërsa po kështu kanë fituar 19 nga 67 edicionet e deritanishme të Kupës së Shqipërisë. Për më tepër, kjo sfidë, e gjen Vllazninë për herë të parë në histori, në nivelin e dytë të futbollit shqiptar, aty ku Dinamo dergjet prej 7 sezonesh.

Ajo që e bën më interesante përballjen e javës së 20 është fakti se të dyja skuadrat vijnë ndaj njëra-tjetrës pas ecurive të kundërta. A do të jetë këto dy skuadrat që do të luftojnë për biletën për në Superiore? Kjo mbetet për t’u parë, sepse është shumë herët për ta thënë një gjë të tillë, por ajo që është e sigurt është historia e futbollit do të ulet të shtunën këmbëkryq në Shkodër./newsport/