Vitet ’80 kanë qenë të shkëlqyera për shumë prej ekipeve sportive të Klubit Vllaznia. Një ndër to ka qenë edhe ai i shahut të femrave që përveç suksesit ekipor, ka evidentuar edhe disa sportiste të cilat janë shpallur kampione edhe si individ. Një nga shahistet më të evidentuara të këtyre viteve jo vetëm në Shkodër, por edhe në Shqipëri, është padyshim Albana Vuji.

Ka lindur në Shkodër më 14 qershor të vitit 1969 dhe duke shahun e ka pasion. Talenti i saj evidentohet fillimisht në kampionatet e shkollave dhe më pas, e rekomandojnë për t’u rregjistruar tek ekipi i Vllaznisë. Madje bashkë me të është e edhe e motra më e vogël- Marina, që ishte një vit më e vogël.

Kampionati i saj i parë me të rriturat është në vitin 1982, vit në të cilin ajo është vetëm 13 vjeçe, megjithatë arrin të bëjë një paraqitje shumë të mirë. Kampione do të shpallej Vega Paja e Lokomotivës që grumbulloi 9 pikë dhe pas saj u renditën Bajo e Partizanit, Stenova e 17 Nëntorit dhe Albana Vuji e Vllaznisë me 7.5 pikë secila.

Pra shahistja shkodrane e nis nga vendi i katërt. Padyshim jo keq, duke qenë se kishte vetëm pak muaj që ushtrohej në këtë sport, megjithatë karriera e saj në të ardhmen do të ishte shumë e suksesshme.

Një vit më vonë, pra më 1983 kur kampione do të shpallej shkodrania tjetër Ylvije Boriçi e cila arriti të fitonte ndaj të gjitha konkurrenteve të tjera dhe humbi vetëm një ndeshje…atë me Albana Vujin, megjithatë kjo ndikoi në rezultat sepse ajo do të shpallej kampione.

Megjithatë humbja ndaj motrës së madhe Vuji tregoi se kjo e fundit do të ishte një konkurrente shumë e fortë vitet e ardhshme dhe kështu ndodhi.

Në kampionatin e vitit 1984 që u zhvillua në Shkodër, ndër 40 skuadrat pjesmarrëse dominon mbi të gjitha duke grumbulluar 8.5 pikë, më shumë nga të gjitha të tjerat dhe duke lënë në vend të dytë shoqen e saj të ekipit Arta Alushin me 8 pikë dhe shpallet kësisoj kampione e Shqipërisë.

Këtë gjë do ta përsëriste edhe në vitin 1985 ku përsëri është kampione e Shqipërisë. Më pas ka një pauze sepse do të fitonte sërish Ylvije Boriçi, por Albana Vuji do të rikthehej tek titulli kampion, i treti për të, në vitin 1989.

Në vitin 1992 do të renditej në vendin e gjashtë në kampionat dhe karrierën në sportin e shahut për shumë arsye, do ta mbyllte pak muaj më vonë, deri në fillim të vitit 1993 dhe aty e mbyll. Ndërkohë gjatë karrierës së saj, ka marrë pjesë edhe në disa aktivitete ndërkombëtare.

Motrat Vuji, Albana e Marina

Ka marrë pjesë në Ballkaniadën e të rejave që u zhvillua në Greqi në vitin 1989 si tavolinë e dytë për kombëtaren shqiptare që renditet e 4-ta, duke lënë pas Jugosllavinë.

Albana Vuji do marrë pjesë më pas edhe në kampionatin e hapur të Bullgarisë në vitin 1993 dhe zë vendin e 9-të ku në 9 ndeshje të luajtura grumbullon 5.5 pikë.

Rezultatin më të lartë në arenën ndërkombëtare, Albana Vuji do ta arrinte në Olimpiadën Botërore të Shahut të vitit 1990 që u zhvillua në Novi Sad, ku u rendit në vendin e 16-të në Botë në tavolinën 2.

Një rezultat i shkëlqyer teksa arriti që merrte 58.33 % të pikëve të mundshme, 7 nga 12 të mundshmet (6+, 2=, 4-), përqindje kjo që është më e larta në gjithë historinë e pjesmarrjes së shahisteve shqiptare në këto Olimpiada.

Albana Vuji ka lënë pas një karrierë shumë të suksesshme si sportiste teksa ka fituar shumë trofe individuale por edhe ekipor bashkë me të motrën Marinën, me Ylvije Boriçin, Arta Alushin e Valbona Millën, nën drejtimin e trajnerit shumë të përkushtuar Muhamet Gradeci.

Albana Vuji ka fituar tre tituj kampion individual (1984, 1985 dhe 1989), pesë tituj kampion si pjestare e ekipit të Vllaznisë kampione (1983, 1986, 1987, 1989 dhe 1990) e po ashtu edhe dy medalje të arta në Spartakiadat Kombëtare (1984 dhe 1989). Jo keq padyshim.

10 trofe të arkivuara në një periudhë 10 vjeçare që është marrë me këtë sport dhe çka është më e rëndësishmja, ka hequr dorë prej tij atëherë kur ishte vetëm 23 vjeçe dhe kishte ende shumë për të dhënë dhe shumë për të fituar.

Por ardhja e Demokracisë dhe ndryshimi i sistemeve, nxorrën në pah pasione dhe profesione të tjera dhe Albana Vuji vendos të merret me të tjera gjëra. Megjithatë duke lënë pas një CV të pasur dhe një emër shumë të mirë në këtë sport.
Gjergj KOLA