Një spanjoll dhe një emër i njohur i La Liga-s kryesojnë listën e shpenzimeve në merkaton e futbollit. Në këtë renditje nuk figurojnë trajnerë si Ancelotti apo Klopp, por nuk mungojnë disa nga më të njohurit e pankinës.
Guardiola, mbreti i shpenzimeve
Pep Guardiola ka hyrë në historinë e merkatos në vitin 2025 si trajneri i parë që kalon shifrën 2 miliardë euro të investuara në blerje lojtarësh gjatë karrierës. Trajneri i Manchester City ka 17 sezone në elitë, ku numëron 3 tituj të Champions League dhe një duzinë kampionatesh kombëtare të fituar.
Karrierën si trajner e nisi te Barcelona, ku blerja më e kushtueshme ishte ajo e Zlatan Ibrahimovic në vitin 2009 për 70 milionë euro, plus Samuel Eto’o. Në aventurën e tij te Bayern Munich, shpenzimet ishin më të moderuara, me rekordin prej 40 milionësh për Arturo Vidal dhe Mario Götze.
Gjërat ndryshuan te Manchester City, ku që nga sezoni 2016-2017 janë investuar mbi 1.2 miliardë euro për skuadrën e tij. Transferimi më i shtrenjtë? Jack Grealish për 117 milionë euro nga Aston Villa në sezonin 2021-2022. Guardiola është gjithashtu i njohur për investime marramendëse në mbrojtës: Stones, Laporte, Aké, Ruben Dias, Joao Cancelo, Benjamin Mendy dhe Kyle Walker kanë kushtuar së bashku mbi 400 milionë euro.
Simeone, 700 milionë më pak
Pas Guardiolës vjen Diego Pablo Simeone me 1.31 miliradë euro të shpenzuara tek Atletico Madridi që nga viti 2011. Argjentinasi ka pasur gjithmonë një buxhet të qëndrueshëm, madje sezonin e kaluar ishte trajneri që shpenzoi më shumë në Spanjë (gati 250 milionë euro). Blerja më e shtrenjtë? Joao Félix për 127 milionë, një investim që nuk dha rezultatet e pritura.
Tri surpriza të tjera; Allegri, Tuchel dhe Conte
I treti në listë është Massimiliano Allegri me 1.2 miliardë euro të shpenzuara, kryesisht te Juventusi dhe Milani. Transferimi i tij më i shtrenjtë ishte Cristiano Ronaldo në vitin 2018 për 117 milionë euro (në total), por pa arritur dot kurrë të fitonte Champions League.
Në vendin e katërt është Thomas Tuchel me 1.19 miliardë euro. Gjermani ka drejtuar Bayern, Chelsea, PSG dhe Borussia Dortmund, duke fituar një Champions League me blutë e Londrës. Blerja më e madhe e tij ishte Kylian Mbappé për 180 milionë euro te PSG, në vitin 2018.
Lista mbyllet me Antonio Conte, kampion aktual i Serie A me Napolin, me 1.16 miliardë euro të investuara gjatë karrierës. Juventus, Chelsea, Inter dhe Tottenham ia kanë besuar suksesin e tyre, teksa trajneri italian në fjalë ka fituar 6 kampionate. Lojtari më i shtrenjtë që ka marrë është Álvaro Morata për 80 milionë euro te Chelsea./telesport/