Një tjetër mbrëmje për t’u harruar për Kilan Mbape! Në sfidën e fundit të luajtur me “Los blancos” në Ligën e Kampioneve kundër Liverpulit, sulmuesi francez solli një tjetër zhgënjim për tifozët e ekipit.

Sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, lojtari është simboli i të gjitha problemeve që ‘galaktikët’ po kalojnë.Ekipi u mposht 2-0 në “Anfield Road’ nga Liverpuli, që nuk fitonte ndaj tyre prej 15 vitesh, me Mbape që humbi edhe një penallti. Ndërsa sportivja “AS” shkroi se klubi është në alarm për Mbapen.

25-vjeçari ka vuajtur që të gjejë formën e tij më të mirë që kur iu bashkua Real Madridit në verë. Në sfidën e fundit ai kishte mundësinë që të tregonte veten si sulmues i krahut të majtë për shkak të dëmtimit të Vinicius Jr, por paraqitja e tij ishte zhgënjyese.

Niveli i tij i dobët tregoi që stafi teknik kishte marrë vendimin e duhur që nuk e kishte aktivizuar 25-vjeçarin më herët në këtë pozicion.
Humbja e fundit i lë kampionët në fuqi të Ligës së Kampioneve në një pozicion të pasigurt në këtë edicion të kompeticionit që ka një format të ri.

Skuadra e Carlo Ancelottit gjendet në vendin e 24-të nga 36 ekipe pjesëmarrëse, ndërsa pësoi humbjen e tretë në pesë takime të luajtura. Me tre ndeshje nga fundi, Reali gjendet në vend të 24, pozicioni i fundit në Play-Off ndërsa nga përfundimi i kësaj faze kanë ngelur edhe tri takime.