Pak minuta pasi u bë e ditur se “Consejo Superior de Deportes” (CSD) kishte miratuar masën paraprake për Barcelonën në lidhje me licencat e Dani Olmo dhe Pau Víctor, La Liga reagoi me një deklaratë të ashpër, duke e kundërshtuar këtë vendim.
Kjo është deklarata e plotë e saj: “La Liga u informua të mërkurën pasdite për vendimin e marrë nga presidenti i ‘Consejo Superior de Deportes’, i cili miraton, pa dhënë mundësi dëgjimi as për La Liga-n dhe as për RFEF, masën paraprake të kërkuar nga Barcelona e lojtarët Daniel Olmo Carvajal e Pau Víctor Delgado.
Ky vendim mban vlefshmërinë e licencave të këtyre lojtarëve derisa të zgjidhet përfundimisht apeli i bërë nga ata kundër Marrëveshjes së Komisionit të Monitorimit të Konventës së Koordinimit RFEF-LaLiga. Për këtë vendim, La Liga dëshiron të sqarojë sa vijon:
Vendimi është marrë pa u transferuar apelimi apo pa u dhënë mundësia e paraqitjes së argumenteve nga La Liga apo RFEF, ndaj për momentin nuk dihen argumentet e paraqitura nga lojtarët dhe Barcelona në apelimin e tyre.Do të shqyrtohet me kujdes përmbajtja e vendimit për të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore, duke nënvizuar mospajtimin absolut me këtë vendim.
Pavarësisht sa më sipër, Marrëveshja e Komisionit të Monitorimit të Konventës së Koordinimit RFEF-LaLiga pasqyron marrëveshjen paraprake të La Liga-s për të refuzuar vizën paraprake dhe të RFEF për licencën përfundimtare të lojtarëve Daniel Olmo dhe Pau Víctor, siç shpjegohet në procesverbal.
Megjithatë, në vendim përmenden disa arsye që lidhen me të drejtat e sportistëve për karrierën e tyre sportive, një çështje që do të studiohet më tej sapo të kemi qasje në dosjen përkatëse”.Ky reagim tregon qartë qëndrimin e ashpër të La Liga-s ndaj vendimit të CSD dhe synimin e saj për ta vazhduar betejën ligjore./telesport/